Në Gjermani, Hoffenheimi dhe Bayerni luajtën të shtunën diçka më pak se 77 minuta lojë. Pjesa e mbetur u kalua me qarkullim të topit mes njëri tjetrit. Shkak u bë një baner dhe koret ofenduese drejtim presidentit të klubit të Hoffenheim, Dietmar Hopp, nga tifozët e Bayernit
Në transfertën me bardheblutë, Bayerni po fitonte thellë 6-0 kur një grup ultras i tyre shfaqi banerin ofendues dhe nisi kore të shumta ndaj Hopp.
Trajneri i Bayernit, Hans-Dieter Flick – ky ish-trajner i Hoffenheimit, 2000-2005 – dhe lojtarët e tjerë iu drejtuan menjëherë tifozëve që ta hiqnin banerin dhe të qetësoheshin. Kësaj përpjekjeje iu bashkuan edhe zyrtarët e klubit, Oliver Kahn dhe Hasan Salihamidzic.
Më pas gjyqtari Christian Dingert ndali lojën dhe pezulloi për rreth 20 minuta ndeshjen. Lojtarët u çuan në dhomat e zhveshjes.
Ndeshja rifilloi në minutën e 77-të, por më tej futbollistët thjesht pasuan me njëri tjetrin dhe pritën sa loja të mbaronte.
Pas ndeshjes, Presidenti i klubit Dietmar Hopp dhe Drejtori i Përgjithshëm i Bayernit, Karl-Heinz Rummenigge zbritën në fushë. Bashkë me lojtarët ata përshëndetën tifozët e Hoffenheimit të cilët mbajtën qetësinë dhe nuk iu përgjigjën dhunshëm ofendimeve.
Pse sulmohet presidenti i Hoffenheim?
Hopp nuk gëzon simpati në Gjermani pavarësisht se falë mbështetjes së tij financiare Hoffenheimi është ngjitur nga kategoritë e ulëta në Bundesligë.
Shkak për këtë është fakti se 79-vjeçari ka thyer rregullin e përgjithshëm (50+1) të futbollit gjerman, ku klubet nuk mund të zotërohen më shumë se 49 për qind të aksioneve nga kompani private.
Përpara vitit 1998 klubet në Gjermani vepronin si organizata jo-fitimprurëse. Kjo ndryshoi kur Federata e Futbollit Gjerman lejoi që klubet të ktheheshin në kompani publike ose private.
Sidoqoftë u vendos që të mbahej një raport ku shumica e aksioneve dhe të drejtës së votës t’i mbetej gjithmonë anëtarësisë së shkuar – kryesisht tifozëve dhe ish-futbollistëve.
Klube të tjera të cilat nuk zotërohen nga tifozët janë Bayer Leverkusen (zotërohet nga kompania farmaceutike Bayer) Wolfsburgu (zotërohet nga Volkswagen) dhe RB Leipzig (zotërohet nga Red Bull).
Tifozët e Bayernit nuk janë të vetmit që sulmojnë presidentin e Hoffenheimit. Javën e fundit banera ofendues dhe kore të ngjashme u panë mes tifozëve të Borussia Monchengladbach dhe Borussia Dortmund.
Këta të fundit u ndëshkuan të luajnë pa tifozë në ndeshjet kundër Hoffenheimit për 2 sezonet e ardhshme.
Kampionati gjerman kryesohet aktualisht nga Bayerni. Pas vijnë Leipzig, Dortmund dhe Borussia Monchengladbach.