Holanda i ofron mbështetje Turqisë dhe Katarit për të rinisur evakuimet nga aeroporti i Kabulit

Nga Exit News
Holanda i ofron mbështetje Turqisë dhe Katarit për të rinisur evakuimet nga aeroporti i Kabulit

Qeveria holandeze i ka ofruar mbështetje Turqisë dhe Katarit në përpjekjet për të rihapur aeroportin e Kabulit për të rifilluar evakuimet nga Afganistani, tha të enjten ministrja e jashtme e vendit.

Sigrid Kaag tha se vendi ishte i gatshëm të siguronte 1 milion euro, dhe personel, për përpjekjet për të rifilluar fluturimet e shpëtimit të atyre që duan të largohen nga regjimi i talebanëve, raporton Reuters.

Ministri i Jashtëm i Katarit tha të enjten se po bisedonte me talebanët dhe po punonte me Turqinë për mbështetje të mundshme teknike për të rifilluar operacionet në aeroport.

Më 31 gusht trupat e fundit ushtarake amerikane u larguan nga Afganistani pas një operacioni masiv evakuimi që zgjati dy javë.

Në total, avionët amerikanë dhe të aleatëve evakuuan më shumë se 123 000 persona mes tyre afganë dhe shtetas të vendeve perëndimore.

Megjithatë mijëra afganë, bashkëpunëtorë të shteteve të perëndimit dhe organizatave që veprojnë në Afganistan, kanë mbetur pa u evakuar.

Gjermania vlerëson se ka ende midis 10 000 dhe 40 000 punonjës të organizatash në Afganistan, të cilët kanë të drejtë të evakuohen në Gjermani nëse mendojnë se janë të rrezikuar, tha kancelarja Angela Merkel të martën.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>