Hollanda kërkon Gjykatën Kushtetuese dhe ligjin e medias për hapjen e bisedimeve BE-Shqipëri

Nga Exit News
Hollanda kërkon Gjykatën Kushtetuese dhe ligjin e medias për hapjen e bisedimeve BE-Shqipëri

Qeveria hollandeze mbështet gjetjet e Raport Progresit të Komisionit Europian në lidhje me plotësimin e kushteteve për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare dhe fillimin e bisedimeve BE-Shqipëri, dhe kërkon plotësimin e dy kushteve të mbetura, ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe miratimin e ligjit të medias sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

“Qeveria ndan analizën e Komisionit se Shqipëria ka treguar përparim në fusha të ndryshme, por përfundimi i Komisionit se pothuajse të gjitha kushtet janë përmbushur është i parakohshëm”, shkruhet në një document që qeveria hollandeze i ka paraqitur Këshillit Europian.

Këshilli Evropian—mbledhja e ministrat e jashtë të vendeve anëtarë të BE-së—do të mbahet më 10 nentor dhe do të diskutojë ndër të tjera fillimin e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Qeveria hollandeze është e vendosur se “vetëm kur kushtet e vendosura në përfundimet e Këshillit Evropian të marsit 2020 të jenë përmbushur bindshëm mund të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë”.

Megjithatë qeveria hollandeze është më e rreptë në vlerësimin e arritjeve të Shqipërisë për kushtet e vendosura, veçanërisht në luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe emigracionit të paligjshëm.

Për këtë arsye ajo kërkon:

— Dënimin e magjistratëve të përfshirë në aktivitete kriminale. Qeveria Hollandeze shprehet se procesi i vetingut është i pamjaftueshëm pa dënimin e gjyqtarëve të korruptuar dhe të lidhur me krimin.

Janë ndërmarrë hapa kryesorë, veçanërisht në fushën e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rangut të lartë, por kjo nuk po çon ende mjaftueshëm në dënime aktuale të gjyqtarëve të akuzuar për akuza penale gjatë shqyrtimit.

— Dënimin e korrupsionit në të gjitha nivelet. Shqipëria duhet të ndërmarrë hapa të mëtejshëm në ndërtimin e një historiku solid në hetimin, ndjekjen penale dhe përfundimtare duke dënuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në të gjitha nivelet.

— Dialog pozitiv mes partive politike për zbatimin e reformës zgjedhore. Qeveria hollandeze e vlerëson pozitivisht miratimin e kodit zgjedhor në 23 korrik, por “pavarësisht nga ky rezultat pozitiv, dialogu politik në vend duhet të përmirësohet, veçanërisht në fushën e reformës zgjedhore dhe zbatimin e saj”.

Ndërsa për Maqedoninë e Veriut, Hollanda nuk ka shprehur asnjë vërejtje për fillimin e negociatave.

Raportin e plotë e gjeni këtu.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>