Koço Kokëdhima – Demi
Horoskopi parashikon arritje të mëdha ekonomike për Demin gjatë tremujorit të parë të 2016-ës. Të lindurit nën këtë shenjë do të jenë nën ndikimin pozitiv të Neptunit, i cili do të sjellë fat sidomos në strategjinë për të shtënë në dorë pronat e vjetra në bregun jonian, të lëna nga arbëreshët para se ata të migronin për në Itali 600 vjet më parë. Zhvillime shumë pozitive dhe suksese monetare priten sidomos gjatë muajit prill, me shumë mundësi të lidhura me bilancin vjetor të Albpetrolit. Jeta intelektuale do të sjellë më në fund shpërblimin e merituar për mundin e disa dekadave në fushën e dijes: fjalime, intervista, prezantime në rrethet më të rëndësishme intelektuale të Evropës. Libri “Si të bëhesh milioner duke zhvatur” do të përkthehet në anglisht, gjermanisht, frëngjisht dhe japonisht. Yjet parashikojnë ndryshime pozitive e zhvillime të reja në marrëdhëniet personale, veçanërisht në dashuri të reja, përfshi ato në sferën politike.
Edi Rama – Gaforrja
Për Gaforren, viti 2016 do të jetë vit ideal në të gjitha fushat. Ky vit do të jetë vit i jashtëzakonshëm sidomos për artistët e rinj që aspirojnë të konfirmohen në fushën e pikturës. Për Edin ky vit do të sjellë shumë ekspozita dhe konfirmim botëror të talentit të tij padiskutueshëm për zhgarravina artistike. 2016 do jetë një vit dinamik, i mbushur me udhëtime interesante në mbarë botën, sidomos në vende ekzotike. Me fat do të jetë ky vit për financat personale që do të shënojnë të ardhurat më të mira në 15 vitet e fundit, duke konfirmuar kështu shkencërisht se të jesh kryeministër është më mirë se kryetar bashkie. Edhe në sferën e dashurisë viti 2016 do të jetë shumë pozitiv për Gaforren. Ky vit do të konsolidojë adhurimin pa kushte të femrave drejtoresha për udhëheqësin, përfshi femrat bleta dhe shushunja. Por kalimi gradual i Marsit tek shenja e Binjakëve do të bëjë që dashuria e vërtetë e Edit të mbetet, edhe për këtë vit, vetvetja. Niveli i vetëvlerësimit do të rritet në mënyrë eksponenciale dhe në fund të vitit do ta konfirmojë atë si të vetmin mashkull punëtor e të vërtetë në një vend të mbushur me meshkuj dembelë e parazitë. Prirja e fuqishme autodashurore do të finalizohet me vetëshpalljen Alfa Mashkulli i vendit, të cilin duhet ta dëshirojnë dhe t’i binden njësoj si femrat edhe meshkujt.
Erion Veliaj – Shigjetari
Me Saturnin në shenjë për gjatë gjithë vitit, jeta e shigjetarëve do të jetë shumë e trazuar, veçanërisht në Këshillin Bashkiak. Erioni duhet të gjejë durimin dhe ekuilibrin për të mos e pjerdhur fare Këshillin dhe për t’u përqëndruar vetëm tek pordhat me origjinë kryeministrore. Gjatë vitit, Eri do të gjejë shumë mbështetje nga miqtë, veçanërisht mga “lalat” dhe “kinget” e shumta që e adhurojnë politikisht dhe personalisht. Suksesi në financat private do të jetë disi i kufizuar, pasi fati i tij ekonomik do të jetë i eklipsuar nga ai i udhëheqësve të shenjës së gaforres dhe dashit, por sidoqoftë 2016-ta do të jetë viti më i miri deri më sot për të bërë shumë para. Ky vit do të vazhdojë të rikonfirmojë dashuritë e rigjetura të Erit për të gjithë ata që mendonte se i urrente kur ishte i ri dhe donte të binte në sy, përfshi dashurinë e rilindur për Ilirin.
Sali Berisha – Peshorja
Me kalimin e Venusit dhe Marsit në këtë shenjë, pritet që qytetari dixhital të hyjë në vitin e dashurisë dhe që raporti platonik dixhital i tij me Saliun të njohë nivele të reja afërsie. Kjo dashuri do ta frymëzojë energjizojë jashtë mase Saliun dixhital dhe do t’i ndezin atij në shpirt, më shumë se kurrë më parë, dashurinë për t’u sakrifikuar sërish për atdheun dhe popullin. Një tepri dashurie për partinë mund të ndezë rivalitetin me dashnorë të tjerë të partisë e të rihapi histori të vjetra shumë të trazuara. Ana ekonomike do të vazhdojë të jetë stabël dhe e begatë duke konsoliduar kështu stabilitetin e tij ekonomik tashmë të siguruar për 154,3 vitet e ardhshme. Shëndeti do të jetë i mirë dhe vullneti i pashtershëm për pushtet do ta bëjnë të duket i rinuar duke i futur frikën më shumë se gjysmës së vendit.
Lulzim Basha – Binjakët
Saturni në shenjën e Shigjetarit do të bëjë të mundur që të lindurit nën shenjën e Binjakëve të kenë një nga vitet më me fat. Me financa të mira dhe të qëndrueshme të siguruara nga puna e ndershme në të shkuarën, të lindurit nën shenjën e Binjakëve do të përqëndrohen këtë vit në kauza të mëdha idealistike. Gjatë gjithë vitit, Luli do të kërkojë të vetësakrifikohet në altarin e pushtetit, por do të ketë konkurencë të madhe nga njerëz të tjerë të gatshëm për sakrifica. Gjithçka që ai ka, do të vazhdojë të lakmohet nga shumë të tjerë. Prandaj, ky mund të jetë vitit i fundit me fat për 30 vitet e ardhshme dhe e ardhmja e Lulit do të varet nga shkathtësia për të luajtur më fatin dhe për të mos rënë në kurthin që do t’i ngrenë vazhdimisht të tjerët. Një rol të madh në fatin e tij do të luajë edhe këtë vit buzëqeshja e tij të cilën pritet që këtë vit ai ta regjistrojë si markë të mbrojtur tregtare në zyrën e patentave.
Ilir Meta – Dashi
Saturni në shenjën e Shigjetarit dhe Urani në shenjën e Dashit do ti japin gjak të ri të lindurve nën këtë shenjë. Muajt e fundit të vitit 2015-ës kanë qënë të rënduar dhe kanë goditur humorin, por muajt e parë të 2016-ës do ta ripërtërijnë qetësinë dhe dashurinë karakteristike të të gjithë deshërve. Gjatë muajit mars do të ketë të reja të rëndësishme. Në fakt me ardhjen e pranverës, për Dashin do të vijë një puhizë e re, ndoshta me reformën e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit. Iliri do të ketë mundësinë që të demonstrojë rolin e tij të rëndësishëm politik sidomos në luftën kundër korrupsionit dhe moralin politik që duhet të ndjekin gjithë të tjerët. Për këtë arsye, ky vit do të konfirmojë përfundimisht rolin e tij të pazëvendësueshëm në politikën e Shqipërisë për 50 vitet e ardhshme.