Hoteli me 5 yje në Barcelonë u pagua 2 herë – nga Fusha dhe Bashkia e Tiranës

Organi i akuzës kërkon pushimin e çështjes ndaj nënkryetarit të bashkisë Tiranë, Arbjan Mazniku dhe drejtori i Planifikimit Urban, Ditjon Baboçi; megjithë dëshmitë kontradiktore mbi pagesën e një hoteli me 5 yjet në Barcelonë, që sipas prokurorëve u pagua nga Shkëlqim Fusha dhe iu rimbursua nga Bashkia dy zyrtarëve- të cilët pretenduan se paratë ia kthyen Fushës në cash.

Nga Aleksandra Bogdani Vladimir Karaj,
Hoteli me 5 yje në Barcelonë u pagua 2 herë – nga Fusha dhe Bashkia e Tiranës

Më 17 dhjetor 2019, Prokuroria e Tiranës iu drejtua gjykatës me kërkesë për pushimin e hetimit ndaj zyrtarëve të lartë të Bashkisë së kryeqytetit, të cilët akuzohen se përfituan pagesa nga biznesmeni Shkëlqim Fusha për qëndrimin e tyre në një hotel me 5 yje në Barcelonë në qershor 2018.

Vendimi për pushim u ndërmor vetëm 3 muaj pas regjistrimit të një procedimi penal me akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit, pas publikimit në media të një fature të paguar nga karta personale e biznesmenit Fusha për llogari të nënkryetarit të Bashkisë, Arbjan Mazniku.

Por ndryshe nga konkluzioni i Prokurorisë, dokumentet hetimore të siguruara nga BIRN ngrejnë pikëpyetje të dyfishta mbi seriozitetin e hetimit dhe zyrtarët e përfshirë në këtë çështje –të cilët rezultojnë se jo vetëm përfituan qëndrimin në hotel nga Fusha, por përfituan edhe rimbursim për kostot e akomodimit në Barcelonë nga arka e Bashkisë së Tiranës.

Ceremonia e ndarjes së çmimit “European Prize for Public Urban Space” u zhvillua më 20 qershor në Barcelonë dhe Bashkia e Tiranës u përfaqësua në këtë event nga një delegacion prej 5 vetash.

Në të morën pjesë kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, nënkryetari Arbjan Mazniku, drejtori i Planifikimit Urban, Ditjon Baboçi, drejtori i Shërbimeve Mbështetëse, Fatjon Sallaku dhe dy përfaqësues të drejtorisë së Medias, Denis Dedej dhe Luis Tanushi. Drejt Barcelonës udhëtuan më 19 qershor edhe biznesmeni Fusha dhe djali i tij, me ftesë të projektuesit belg të sheshit “Skënderbej”.

Ndërsa kryebashkiaku Veliaj u akomodua në hotelin “Alma Barcelona” nga organizatorët e eventit, dokumentet tregojnë se Mazniku e Baboçi zgjodhën të qëndrojnë në të njëjtin hotel me kryetarin falë bujarisë së biznesmenit Fusha, i cili e pagoi faturën e qëndrimit të tyre për dy netë me një vlerë prej 1816 euro në total.

Pas kthimit në Tiranë, Mazniku dhe Baboçi u rimbursuan edhe nga arka e Bashkisë e Tiranës për shpenzimet e hotelit me 1465 euro në total.

Në dëshmitë e tyre për Prokurorinë, Mazniku dhe Baboçi në njërën anë dhe biznesmeni Fusha në anën tjetër dhanë deklarime kontradiktore për rrethanat e pagesës së hotelit nga ky i fundit. Por në kërkesën e Prokurorisë, dëshmia e biznesmenit Fusha konsiderohet si “versioni zyrtar” i historisë, duke shkarkuar nga përgjegjësia zyrtarët e kallëzuar.

Mazniku dhe Baboçi pretenduan gjithashtu para Prokurorisë se ia kthyen paratë e hotelit Fushës në cash, pas mbërritjes së tyre në Tiranë.

I pyetur nga BIRN për përfitimin e dyfishtë të pagesës së hotelit, Mazniku tha se nuk kishte koment, pasi sipas tij “çështja në fjalë është ezauruar në sistemin e drejtësisë”.

“Kur flet drejtësia, të tjerët duhet të heshtin,” tha Mazniku përmes një mesazhi. Ditjon Baboçi nuk iu përgjigj kërkesës për koment nga BIRN.

Ndërsa drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj nuk i shpjegoi kontradiktat e hetimit në një bisedë telefonike me BIRN.

“Prokurori nuk mbyll hetime, por i bën kërkesë gjykatës. Presim një verdikt të gjykatës nëse kërkesa jonë për pushimin e procedimit do të vlerësohet apo jo e drejtë,” tha Imeraj.

Vendimi i Prokurorisë së Tiranës për pushimin e hetimit shihet me dyshim nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, e cila është pjesë e këtij procesi në cilësinë e kallëzuesit.

“Kemi dyshime për ligjshmërinë e kërkesës së Prokurorisë për mbylljen e hetimit,” tha Adriana Kalaja, përfaqësuese e Aleancës për BIRN. “Mendojmë që hetimet me ndërhyrje nuk janë të plota dhe ne nuk jemi thirrur për t’u pyetur nga Prokuroria,” shtoi ajo.

“Nuk kishte dhoma, ndaj u dhashë të miat”

Në ceremoninë e ndarjes së çmimit “European Prize for Urban Public Space” më 20 qershor 2018 në Barcelonë, projekti i sheshit “Skënderbej”, i zbatuar nga kompania Fusha sh.p.k, fitoi çmimin e parë. Fusha Sh.p.k është kontraktori më i madh i bashkisë së Tiranës prej kohës që ky institucion drejtohet nga Erion Veliaj.

Suksesi i Bashkisë në Barcelonë u mjegullua megjithatë në gusht 2019 nga publikimi në portalin JOQ i një fature hoteli të paguar nga karta personale e biznesmenit Fusha për llogari të Maznikut.

Ngjarja u denoncua si “konflikt i pastër interesi” nga Partia Demokratike në opozitë, ndërsa në Prokurorinë e Tiranës mbërritën dy kallëzime paralele për hetimin e çështjes, një nga Prokuroria e Përgjithshme dhe i dyti nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

Nënkryetari Mazniku, duke folur në njëmbledhje komisioni parlamentar.

Përgjatë tre muajve të hetimit, prokurorët Elisabeta Imeraj dhe Alket Mersini administruan procedurat e ndjekura nga Bashkia e Tiranës për mbulimin e shpenzimeve të aktivitetit si dhe dëshmitë e personave të përfshirë.

Urdhrat e shërbimit tregojnë se Bashkia shpenzoi mbi 1.2 milionë lekë dhe 590 euro për bileta avioni, pagesa hoteli dhe dieta për pesë anëtarët e delegacionit- me përjashtim të hotelit të Veliajt që rezulton i paguar nga organizatorët.

Zyrtarët e Bashkisë u ndanë në dy hotele gjatë qëndrimit të tyre në Barcelonë: Veliaj, Mazniku dhe Baboçi u akomoduan në hotel Alma –vetëm disa hapa larg bulevardit kryesor “Passeig de Gràcia”, ndërsa tre punonjësit e tjerë në hotelin “Astoria”.  Biznesmeni Fusha dhe djali i tij rezultojnë të kenë qëndruar në hotelin “Majestic”.

Në dëshmitë e tyre për Prokurorinë, Mazniku dhe Baboçi mohuan që të ishin në dijeni se dhomat e hotelit të tyre për 19 dhe 20 qershorin ishin paguar më parë nga biznesmeni Fusha. Ata deklaruan se ishin akomoduar në hotel Alma në Barcelonë në orët e vona të natës, ndërsa të nesërmen e kishin kaluar ditën në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.

Pagesën e faturës nga Fusha, Mazniku tha se e kishte mësuar mëngjesin e 21 qershorit 2018, kur kishte shkuar në recepsion për të paguar faturën.

“Nga personeli i hotelit jam informuar që pagesa [578 euro për dy netë] ishte kryer nga shtetasi Shkëlqim Fusha, administrator i shoqërisë Fusha sh.p.k. Kam komunikuar me shtetasin Shkëlqim Fusha, të cilit i kam thënë se do ta bëj rimbursimin me t’u kthyer në Tiranë, për faktin se atë ditë kam udhëtuar në Londër…,” ka thënë Mazniku në Prokurori.

Mazniku ka shtuar gjithashtu se faturën e hotelit e kishte dorëzuar në Bashki dhe ishte rimbursuar nga Bashkia më 8 tetor 2018 në llogarinë së pagës. I pyetur mbi formën e pagesës së shumës ndaj Shkëlqim Fushës, Mazniku është përgjigjur “ia kam bërë në kesh”.

Ndryshe nga Mazniku, Baboçi ka deklaruar në Prokurori se e kishte mësuar në Tiranë faktin se fatura e dhomës së tij në vlerën 887 euro ishte paguar nga biznesmeni Fusha, por nuk e mbante mend se nga kush. Edhe Baboçi deklaroi se paratë ia kishte kthyer Fushës cash në dorë.

Biznesmeni Shkëlqim Fusha tregoi një tjetër version të historisë përballë Prokurorisë. Ai tha se kishte planifikuar të shkonte në Barcelonë së bashku me bashkëshorten, vajzën, djalin dhe drejtuesin teknik të kompanisë.

Më 16 qershor 2018, ai tha se pagoi në mënyrë të pakthyeshme dy dhoma në hotel “Alma” për veten, bashkëshorten dhe vajzën dhe për shkak të mungesës së dhomave të tjera, kishte rezervuar në hotel Majestic dy dhoma të tjera për djalin dhe drejtuesin teknik.

Planet sipas Fushës ndryshuan, pasi bashkëshortja dhe e bija e anuluan udhëtimin për arsye shëndetësore, ndërsa drejtuesi teknik e anuloi për arsye familjare.

Kur Fusha me të birin mbërritën në hotel Alma në Barcelonë, dikush nga delegacioni i Bashkisë i kishte thënë se nuk kishte më dhoma të lira në hotel.

“Nuk më kujtohet se cili nga përfaqësuesit e bashkisë më ka thënë që nuk paska më dhoma të lira në këtë hotel. Aty u kam thënë që nëse dëshironi mund të përdorni dhomat e mia të cilat i kisha të prenotuara në hotelin “Alma Barcelona”, pasi kisha edhe dy dhoma të tjera të prenotuara te hoteli tjetër,” tha Fusha.

Fusha ka pretenduar në Prokurori se kishte mësuar më 21 qershor se në dhomat e paguara prej tij ishin akomoduar Mazniku dhe Baboçi. Ai pretendoi gjithashtu se hoteli i kishte dërguar një formular pas mbërritjes në Shqipëri për shkak të mospërputhjes së emrit të prenotuesit me personat që kishin fjetur- por shtoi se nuk e dispononte këtë dokument.

Fusha pretendoi gjithashtu se i kishte marrë mbrapsht pagesat e hotelit nga Mazniku dhe Baboçi.

“Pasi jam kthyer në Tiranë më ka kontaktuar shtetasi Ditjon Baboçi me të cilin jam takuar dhe më ka bërë rimbursimin cash sipas faturës së hotelit për netët e qëndrimit te Alma Barcelona. Disa ditë më pas, të njëjtin veprim ka kryer edhe Arbjan Mazniku,” përfundon Fusha në dëshmi.

Mbyllja e hetimit

Prokuroria e Tiranës i nisi hetimet më 26 shtator 2019 për veprat penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “shpërdorimit të detyrës”. Hetimet u kryen nga drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj dhe prokurori Alket Mersini.

Megjithatë më 17 dhjetor 2019, prokurorët i kërkuan gjykatës pushimin e procedimit penal, me konkluzionin se Mazniku dhe Baboçi  “nuk kanë përfituar në mënyrë të paligjshme asnjë lloj përfitimi, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi”.

Kryeprokurorja e Tiranës Elisabeta Imeraj.

Prokuroria i justifikon pagesat e hotelit që Mazniku dhe Baboçi përfituan nga Bashkia e Tiranës me argumentin se ata kishin dorëzuar pranë financës së Bashkisë dokument justifikues për këtë shpenzim, e cila është fatura e lëshuar nga hotel Alma në Barcelonë. Sipas Prokurorisë, rimbursimi i shpenzimeve nga buxheti i bashkisë është kryer në periudhën korrik-gusht në llogaritë personale të anëtarëve të delegacionit.

Ndërsa për justifikimin e pagesës së faturës së hotelit nga karta personale e biznesmenit Shkëlqim Fusha, prokurorisë i ka ardhur në ndihmë dëshmia e këtij të fundit.

“Nga aktet hetimore e pikërisht referuar dokumentacionit të administruar rezulton se shtetasit Arbjan Mazniku e Ditjon Baboçi nuk kanë bërë rezervim hoteli dhe në datën 19 qershor 2018… nga recepsioni i hotelit janë vënë në dijeni se nuk ka dhoma për akomodimin e tyre,” deklaron Prokuroria.

“Në këtë kohë, shtetasi Shkëlqim Fusha i gjendur i pranishëm u ka ofruar qëndrimin e tyre në dhomat e prenotuara nga ai për llogari të punonjësve dhe familjarëve të tij…,” argumenton më tej Prokuroria.

Dy prokurorët argumentojnë gjithashtu se nuk provohet që Mazniku dhe Baboçi të kenë qenë në dijeni se fatura e hotelit të tyre ishte paguar nga Fusha –fakt që sipas Prokurorisë e kanë mësuar kur janë pajisur nga recepsioni me faturat përkatëse të qëndrimit të tyre në hotel.

Prokuroria argumenton në anën tjetër se e ka të provuar faktin që më 16 qershor 2018, biznesmeni Fusha ka paguar në mënyrë të pakthyeshme me kartën e tij personale përmes faqes “Booking” dy dhoma për dy netë qëndrimi në hotelin Alma Barcelona dhe ka prenotuar dy dhoma të tjera në të njëjtën datë në hotelin “Majestic”.

Prokuroria merr gjithashtu për të mirëqenë pretendimin se hotel Alma i kishte dërguar Fushës një formular tip për saktësimin e mospërputhjes së emrit të prenotuesit me emrat e personave që kanë fjetur –ndonëse Fusha deklaroi se nuk e kishte ruajtur atë dhe një dokument i tillë nuk ekziston në dosjen hetimore.

“Sa më sipër, megjithëse ekzistojnë dyshime nuk ka prova që të vërtetojnë se shtetasit Arbjan Mazniku dhe Ditjon Baboçi të kenë kryer veprën penale të parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal,” thonë prokurorët.

“Gjithashtu fakti i provuar nuk parashikohet nga ligji as si ndonjë vepër penale e parashikuar në Kodin Penal,” përfundojnë ata, duke kërkuar pushimin e hetimit.

Seanca paraprake në Gjykatën e Tiranës për këtë kërkesë do të zhvillohet më 25 mars.

The post Hoteli me 5 yje në Barcelonë u pagua 2 herë – nga Fusha dhe Bashkia e Tiranës appeared first on https://www.reporter.al/hoteli-me-5-yje-ne-barcelone-u-pagua-2-here-nga-fusha-dhe-bashkia-e-tiranes/

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>