Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti i ka bërë apel partive kundërshtare që të pranojnë vendimet e institucioneve për përjashtimin nga kandidimi të personave të dënuar më parë.
Në një prononcim për median, të mërkurën, Hoti deklaroi se ‘vendimet e organeve të drejtësisë duhet të respektohen pa u komentuar, ashtu siç i kemi respektuar gjithmonë’.
Ai tha se do të dëshironte të përballet me të gjithë kandidatët për kryeministër, por shtoi se ‘kush ka probleme me ligjin nuk mund të kërkojë e të marrë post publik.’
Deklarata e Hotit vjen një ditë pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) nuk lejoi kandidimin në zgjedhje të personave të dënuar në 3 vitet e fundit për një vepër penale. Nga ky vendim u prekën Lëvizja Vetëvendosje, Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Mes kandidatëve të përjashtuar është dhe Albin Kurti, i propozuar nga Vetëvendosja për kryeministër.
Partitë njoftuan dje se do të ankimojnë në gjykatën Supreme vendimin e PZAP-së.