Hoti e konsideron raportin e PE të bazuar në teori konspirative

Hoti e konsideron raportin e PE të bazuar në teori konspirative

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti e ka cilësuar të hënën raportin e Parlamentit Europian të bazuar në teori konspirative.

Në një komunikim më gazetarët në Rahovec, Hoti u shpreh se raporti nuk paraqet opinionin e Parlamentit Evropian, por të autorëve.

Raporti ka arritur në përfundimin se dezinformimi i të dërguarit të SHBA Richard Grenell çoi në nismën e sukseshme të LDK-së për të rrëzuar qeverinë e Albin Kurtit.

Kryeministri ka thënë se nga analizat e bëra, të dhënat e përdorura për hartimin e këtij raporti janë të paqëndrueshme.

“Raport i ndërtuar plotësisht në teori konspirative pa asnjë të vërtetë dhe unë shpresoj dhe jam i bindur se jemi duke komunikuar tani me zyrtarët e BE-së, të Parlamentit Evropian lidhur me këtë raport”, ka thënë Hoti të hënën për mediat.

Për marrëdhënien me Richard Grenell, Hoti tha se kanë një komunikim të rregullt. Ai tha se marrëveshja për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator do të vazhdojë të zbatohet.

“Komunikimin e kemi të rregullt dhe kemi pasur edhe në të kaluarën me të dy kampet politike të SHBA-së me republikanët dhe demokratët, mirë që është konfirmuar që pavarësisht ndërrimit të administratës atje marrëveshja e nënshkruar në Uashiongton më 4 shtator do vazhdojë të zbatohet dhe jemi duke punuar çdo ditë”, është shprehur Hoti.

Të dielën kreu i LDK Isa Mustafa akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se ka ndikuar në hartimin e këtij raporti.

Ai ka thënë se raporti është rezultat i kompleksit të inferioritetit ndaj Shteteve të Bashkuara të studiuesve që e kanë kryer.

Stuidimi me temë “Identifikimi i Lajmeve të Rreme dhe Dezinformimi në Ballkanin Perëndimor dhe Identifikimi i Mënyrave Efektive për Luftimin e Tyre”, u botua në 3 dhjetor nga Parlamenti Europian. Ai është kryer nga Samuel Greene, Gregory Asmolov, Adam Fagan, Ofer Fridman dhe Borjan Gjuzelov me kërkesë të Komitetit të Punëve të Jashtme në PE.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>