Kryeministri në detyrë i Kosovës Avdullah Hoti i shprehu Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken, gatishmërinë për të punuar sëbashku gjatë procesit të dialogut me Serbinë.
Përmes një letre ai e uroi Blinken për detyrën dhe tha se ndihet mirënjohës për mbështetjen që ”SHBA i ka dhënë Kosovës si një shtet i pavarur”.
Hoti ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me SHBA dhe BE për të arritur normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, gjë që sipas tij “do të forconte stabilitetin rajonal.”
Në mars 2021 bëhet 10 vjet që prej nisjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Qeveria e Prishtinës synon të marrë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
Dialogu u ndërpre në fund të vitit 2018, pas vendosjen e taksës 100 përqind nga qeveria e Haradinajt mbi mallrat nga Serbia.
Më vonë, qeveria Kurti vendosi masa reciprociteti ndaj Serbisë, por këto të fundit u hoqën nga Qeveria Hoti, për të mundësuar vazhdimin e dialogut.
Administrata Trump vendosi të ndërmjetësonte dialogun pa u koordinuar me Brukselin. Ish-presidenti Trump emëroi Richard Grenell si të dërguar të posaçëm për këtë proces i cili u finalizua në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator 2020, ku presidenti serb Vuçiç dhe kryeministri kosovar Hoti nënshkuan një letër bashkëpunimi për normalizimin e raporteve ekonomike.
Por administrata e re e presidentit Biden ka vendosur të ketë qasje të përbashkët me BE-në në ndërmjetësimin e dialogut mes dy vendeve për të arritur “një marrëveshje gjithëpëfshirëse”.