Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti i ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin grumbullimet, turmat, takimet e afërta me njerëzit dhe të ruajnë sa më shumë higjienën personale.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoti shprehu shqetësimin lidhur me grumbullimin e qytetarëve të premten mbrëma në disa qendra të Kosovës pa zbatuar protokollet anti-Covid, kryesisht mes të rinjve dhe besimtarëve për shkak të festës së Kurban Bajramit.
Thirrja e kryeministrit vjen në një moment kur numri i të infektuarve me koronavirus, pacientëve të shtruar në spitale dhe viktimave në Kosovë është rritur shumë.
Hoti paralajmëroi se në spitale situate nuk është e mirë:
“Sistemi shëndetësor nuk mund të përballojë ngarkesën, duke mos qenë në gjendje të ofrojë kujdes për të prekurit me COVID-19 që kanë nevojë për trajtim.”
Në Kosovë, deri më 31 korrik janë regjistruar 8,330 raste me koronavirus. Prej tyre, 226 persona kanë vdekur dhe 4,578 janë shëruar.