Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se nuk do të themelohet Asociacioni i Komunave Serbe pa u arritur njohja reciproke me Serbinë, raportoi Radio Evropa e Lirë.
Këto komente, kryeministri Hoti i bëri pas takimit që zhvilloi me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.
“Tash, jemi duke e diskutuar marrëveshjen finale, përfundimtare për njohje reciproke. Vlen parimi i dakorduar me partnerët tanë dhe me ndërmjetësit e dialogut se nuk dakordohemi për asgjë, derisa nuk dakordohemi për të gjitha. Asgjë nuk fillon të zbatohet derisa nuk përmbyllet marrëveshja përfundimtare me njohje reciproke e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës”, deklaroi kryeministri Hoti.
Hoti dënoi kërcënimet e Goran Rakiq, përfaqësuesit te Lista Serbe, se do të largohet nga institucionet e Kosovës nëse nuk krijohet Asociacioni i Komunave serbe:
“Kjo nuk është qeveri që pranon kërcënime prej askujt. Absolutisht prej askujt”.
Në 2015, Koosva dhe Serbia arritën në nëj marërveshje për krijimin e organizatës së komunave të përbashkëta serbe, të cilat do të ishin në territor të Kosovës dhe do të qeveriseshin të pavarur.
Por Gjykata Kushtetuese e gjeti këtë marrëveshje në kundërshtim me Kushtetutën.