Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka përgënjeshtëruar lajmin se ai ka dhënë dorëheqjen, publikuar në disa media kosovare.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti shkruan:
“Informacionet të cilat po qarkullojnë nëpër media për dorëheqjen time janë të pa vërteta.”
Hoti foli dhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqjen:
“Sa i përket zhvillimeve të fundit pas veprimeve të Dhomave të Specializuara dhe dorëheqjes së ish Presidentit Thaçi, e kam bërë të qartë se partitë parlamentare i kanë dy opsione, të gjejnë zgjidhje për çështjen e Presidentit ose të bien dakord për datën e zgjedhjeve. Por, asnjëherë në asnjë kontekst nuk e kam përmendur dorëheqjen si opsion.”
Aktualisht, që prej 5 nëntorit, detyrat e presidentit në Kosovë po i ushtron kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani. Kushtetuta e Kosovës parashikon që ajo mund të qëndrojë në detyrë vetëm për 6 muaj.