Kryesia e Kuvendit të Kosovës i ka kërkuar Kryeministrit Hoti të raportojnë për dialogun me Serbinë, të enjten më 17 shtator.
“Kryeministri e ka obligim kushtetues që t’i raportojë kuvendit edhe për çështje të politikës së jashtme, në veçanti këtu për dialogun”, tha kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media në Prishtinë, raportoi Radio Evropa e Lirë (REF).
Kryeministri Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç nënshkruan më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë, dy dokumente të ndryshme për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë.
Dokumentet u nënshkruan në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump.
Trump, në anën tjetër, ka nënshkruar një letër, përmes së cilës i ka përgëzuar palët për guximin drejt përparimit të normalizimit të marrëdhënieve.
Hoti dhe Vuçiç u takuan edhe më 7 shtator në Bruksel, ku kanë thënë se kanë hapur temat e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe ato të çështjeve financiare dhe pronësore.