Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Enver Hoxhaj ftoi të mërkurën në debat publik kreun e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Ai prezantoi prioritet e PDK për qeverisje, nëse kjo forcë del fituese në zgjedhjet e 14 shkurtit. Gjatë prezantimit, Hoxhaj ftoi LVV të veprojë në të njejtën mënyrë, raportojnë mediat e Kosovës.
Hoxhaj është shprehur se gara në zgjedhjet e ardhshme është vetëm mes PDK dhe LVV.
Ai i ka cilësuar si befasi 10 emrat e parë në listën për deputetë në PDK.
PDK-ja s’ka vija të kuqe me asnjë parti tjetër në Kosovë, tha mes të tjerash Hoxhaj.
Vetëm dy koalicione parazgjedhore janë regjistruar në Kosovë për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit.
Afati për regjistrimin e kandidatëve në zgjedhje është 16 janari sipas KQZ-së.
Fushata e zgjedhjeve nis më 3 shkurt dhe përfundon më 12 shkurt.