Organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch ka akuzuar Frontex, Agjencinë Europiane Kufitare dhe Rojeve Bregdetare për shkelje të të drejtave të azilkërkuesve, të kthyer mbrapsht nga vendet e BE-së.
Në një letër dërguar institucioneve evropiane, organizata shkroi se Frontex përdor forcë dhe i trajton në mënyrë degraduese qytetarët e kapur në kufi të kthyer nga vendet e BE-së.
Lajmi raportohet nga media European Western Balkans.
Artikulli lajmëron edhe rritjen e numrit të policëve të Frontex në kufijtë e vendeve ballkanike, pavarësisht se numri i emigrantëve të paligjshëm që shkojnë drejt BE-së është ulur ndjeshëm. Madje mendohet se roli i Frontex mund të zgjerohet, nga vetëm në ruajtjen nga emigrantët e paligjshëm, në monitorimin e kufijve për të ndaluar trafikimin e lëndëve narkotike.
Ish-Komisionerit Evropian për Migracionin Dimitris Avramopoulos deklaroi para pak kohësh se Frontex synon të rrisë numrin e policëve dhe brenda vitit 2027 të arrijë në 10 mijë policë.
Pesë vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi – kanë nënshkruar një “marrëveshje” me Frontex-in vitin e kaluar. Sipas marrëveshjes, policët e Frontex do të kontrollojnë kufijtë e këtyre vendeve, për të siguruar mbrojtjen e kufijve të BE-së nga emigracioni i paligjshëm.
Operacioni i pare i Frontex nisi në maj të 2019, në Shqipëri, pasi vendi jonë u kthye në shqetësim për trafikun e emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria, Siria, Palestina, Algjeria etj, për në vendet e BE-së.
Aktualisht, në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë janë vendosur 50 oficerë policie nga vende të ndryshme të BE-së, 16 makina patrullimit dhe 1 makinë me aparaturë për identifikimi termik të emigrantëve për të mbështetur vendin tonë ne luftën kundër emigracionit dhe krimit ndërkufitar.
Shqipëria miratoi në fillim të 2019-tës, një ligj që u jep zyrtarëve të Frontex-it imunitet të plotë për çdo krim që ata mund të kryejnë në territorin shqiptar.
Në praktikë kjo do të thotë se Shqipëria ka hequr dorë nga një pjesë e konsiderueshme e sovranitetit, duke lejuar roje kufitare të huaja të patrullojnë kufijtë e tyre, të marrin në pyetje shtetasit e tyre dhe të kontrollojnë letrat dhe automjetet e tyre, pa pasur asnjë përgjegjësi mbi vete.