Huffington Post: Droga e Shqipërisë rrezik për destabilizmin e Ballkanit dhe problem për gjithë Europën

Nga Luke Coffey
Huffington Post: Droga e Shqipërisë rrezik për destabilizmin e Ballkanit dhe problem për gjithë Europën

Shqipëria, një vend i vogël në juglindje të Evropës, është bërë qendra e tregtisë evropiane të drogës, veçanërisht marijuanës. Ky fakt nuk vjen si habi. Me vijën e gjatë bregdetare përgjatë Adriatikut, ky rajon i Ballkanit ka qenë prej kohe origjina e korridoreve të tregtisë së paligjshme të mallrave dhe lëvizjes së armëve dhe drogës drejt zemrës së Evropës. Ky aktivitet ka fuqizuar krimin e organizuar dhe korrupsionin politik në një vend, i cili ndeshet me shumë sfida të brendshme.

Ajo që e bën gjendjen të veçantë janë akuzat, sidomos ato që vinë nga Partia Demokratike në opozitë, se zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste në qeveri janë të lidhur apo përfitojnë nga tregtia e drogës. Kryeministri Edi Rama është akuzuar në mënyrë të vazhdueshme se ka dështuar të bëjë mjaftueshëm për të ndalur rolin e Shqipërisë në tregtinë evropiane të drogës. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është madje akuzuar për mbrojtjen—dhe mbulimin—e atyre që janë përfshirë në tregtinë e drogës.

Këto akuza ngrejnë pyetjen: Çfarë mund ta motivojë elitën qeverisëse të Shqipërisë që të përzihet në botën e errët të krimit të organizuar dhe trafikut të drogës?

Ndoshta ata marrin fitime nga trafiku. Ndoshta, është pjesë e një plani më të madh për të mbajtur pushtetin. Shqipëria vuan nga korrupsioni politik dhe ekonomik po aq shumë, në mos më shumë, se pjesa tjetër e Ballkanit. Me disa milionë dollarë mund të blihen shumë gjykatës, gazetarë dhe prokurorë për të ndihmuar për të siguruar fitore në zgjedhje edhe për shumë vite të tjera në të ardhmen.

Por, cilido qoftë motivimi, diçka shumë e dyshimtë po ndodh.

Me herët këtë muaj, një pilot Italian, Andrea Guidi, u ul duke u përplasur në një fushë në veri të kryeqytetit Tiranë. Fillimisht, Guidi pretendoi se po fluturonte mbi Shqipëri për argëtim. Sidoqoftë, një gazetar i quajtur Artan Hoxha pohoi se piloti u kishte thënë prokurorëve se ai po kontrollonte terrenin para se të kthehej përsëri pas 20 ditësh për të marrë një ngarkesë prej 200 kg kanabis. Duke patur parasysh historinë e përdorimit të avionëve të vegjël për transportin e drogës nga Shqipëria, ky shpjegim duket i besueshëm.

Autoritetet e ndaluan menjëherë Zotin Hoxha, me sa duket për arsyen e nxjerrjes në publik të informacioneve të ndjeshme. Por historia u bë më e errët kur Partia Demokratike në opozitë sugjeroi se informacioni i bërë publik nga Zotit Hoxha ishte rrjedhur nga Ministri i Brendshëm Tahiri si dredhi për “ta kompromentuar hetimin” dhe për të mbuluar veprimet kriminale të trafikantëve të drogës.

Më herët gjatë këtij viti, autoritetet greke akuzuan qeverinë shqiptare për mbrojtjen dhe mbulimin e Klemend Balilit, një biznesmen shqiptar i cili shërbente si zyrtar në administratën lokale të qytetit jugor të Sarandës. Balili dyshohej për financimin e një skeme për eksportimin e marijuanës nga Shqipëria në Evropën perëndimore. Sërish, Partia Demokratike në opozitë drejtoi menjëherë gishtin tek lidhjet politike të Zotit Balili dhe e akuzoi Tahirin për mbrojtjen e të baronit të drogës.

Luhatjet e qeverisë në veprimet e saj për t’i dhënë fund problemit të drogës në Shqipëri, gjithashtu, mbjellin mosbesim. Vitin e shkuar, autoritetet shqiptare pohuan se kishin shkatërruar rreth 99.2 për qind të marjuanës së prodhuar në vend. Por kjo gjë duket fantazi. Deri më tani këtë vit, policia pohon të ketë shkatërruar 1,7 milionë bimë kanabis, sasi e cila është tre herë më e madhe se sasia e shkatërruar vitin e shkuar. Llogaritë nuk dalin.

Një vend si Shqipëria është, në shumë drejtime, i përshtatshëm për përhapjen e korrupsionit dhe aktivitete të paligjshme. Vendi renditet i 88-ti në botë në vlerësimin më të fundit të organizatës Transperancy International. Ndërsa, Fondacioni Heritage 2016 i dha vendit vlerësimin më të keq në lidhje me korrupsionin për vitin 2016.

Por pavarësisht këtyre, Shqipëria ka shumë se për çfarë të ndihet krenare. Vendi u bë anëtar i plotë i NATO-s në vitin 2008, duke u bërë kështu vendi i dytë me shumicë myslimane në Aleancë. Në vitin 2014, Shqipëria u bë kandidate zyrtare për t’ju bashkuar BE-së.

Këto nuk janë arritje të pakta, për një vend i cili ndodhet në rajonin e trazuar të Ballkanit, të mjeruar ekonomikisht dhe të shkatërruar nga luftërat,

Por niveli i korrupsionit të elitës politike dhe roli i vendit në tregtinë e paligjshme të drogës në Evropë—me bashkëpunimin e dyshuar të zyrtarëve më të lartë qeveritarë—duhet t’i shqetësojnë politikëbërësit në Uashington dhe kudo në Evropë.

Kjo gjendje jo vetëm që është e padenjë për një vend që aspiron të bëhet anëtar i i komunitetit Euro-Atlantik, por ajo mbart rrezikun e destabilizimit të një rajoni ende të paqëndrueshëm.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>