Burime për Exit bëjnë të ditur se brenda fakultetit të Drejtësisë, të Shkencave Sociale dhe të Ekonomikut, ku studentët janë ngujuar, ka forca të shumta policie.
Hyrja e policisë në mjediset universitare është shkelje e ligjit.
Neni 5, pika dh e Ligjit për Arsimin e Lartë parashikon se: “Ndërhyrja e organeve të rendit publik në mjediset akademike bëhet me kërkesën ose lejen e titullarit të institucionit të arsimit të lartë.”
Nuk dihet ende nëse forcat e policisë kanë hyrë me kërkesën apo lejen e dekanëve. Në rast të kundërt, sipas ligjit, duhet të jetë shteti, nëpërmjet organeve dhe strukturave përgjegjëse të tij, që duhet të largojë policinë nga ambientet universitare dhe të garantojë paprekshmërinë e institucioneve të arsimit të lartë dhe të territorit të tyre.
Studentët e Fakultetit të Drejtësisë, atij të Ekonomisë dhe të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës kanë vendosur të ngujohen brenda shkollave deri ditën e dielë. Studentët kanë vendosur banka në derën kryesore të fakultetit për të bllokuar hyrjen në të dhe nuk kanë lejuar asnjë pedagog brenda.