Pas protestës të suksesshme të së shtunës, “qytetarët e zemëruar” të Partisë Demokratike vazhdojnë të takohen nën tendë. Disa herë në ditë kreu i PD-së Lulzim Basha shkon të flasë me qytetarët, duke prezantuar grupe të reja që i janë bashkuar protestës dhe sidomos duke konfirmuar kërkesën e pakthyeshme: qeveri teknike për të garantuar zgjedhje të lira, ose asgjë.
Edhe qytetarë të tjerë të të gjitha moshave po i bashkohen turmës. Ngrohjet e para pranverore do të sjellin edhe më shumë njerëz, por gjithsesi në ajër mungon një dridhje e ngjarjes së madhe.
Politikanë të ndryshëm kanë filluar të marin qendrimet e tyre, si rasti i Ben Blushit, i cili megjithëse shpreson se Basha ta bëjë punën dhe për të, ai, paçka një fillimi të diskutueshëm dhe të vetëshpallur të një “virgjërie politike”, thekson se “nuk ka vend për të nën tendën e Berishës. ”
Ndoshta nuk është i vetmi që e mendon kështu.
Problemi është se populli prej vërteti vazhdon të kërkojë liderin e madh për ta liruar atë nga hajdutët, por që ata vërtetë t’i besojnë, është e nevojshme që kandidati të jetë i virgjër, dhe këtu, të virgjër ka shumë pak. Udhëheqja e vjetër e Partisë Demokratike me siguri nuk bën pjesë në këtë grupim. Në fund të fundit, Blushi gjithashtu do të ketë të njëjtin problem, por ndërkohë përpiqet të bëjë sikur nuk di gjë.
Paradoksalisht Basha, për të mundur të bindë të gjithë popullin të përfshihen në protestë, duhet të heqë dyshimin se kjo protestë është një mekanizëm i Berishës, ndoshta duke njoftuar se nuk do të ketë asnjë kandidat për deputet nga udhëheqja e vjetër, por do të ketë në listat e saj vetëm pjesë nga shoqëria civile. Do të mbetej lider i vërtetë i lëvizjes që ndryshoi situatën në Shqipëri, dhe karriera e tij politike do të riniste në një bazë më të vërtetë dhe të besueshme se ajo aktuale.
Në debate televizive, argumentet kryesore janë padyshim qeveria teknike dhe vettingu, por kur fillojnë e thellohen, bisedat fillojnë të dalin një sërë detajesh që makina e dezinformimit të qeverisë kishte fshehur deri më tani shumë mirë: Partia Socialiste, gjatë gjithë historisë së reformës në drejtësi, ka mashtruar disa herë, duke ndryshuar tekstet e ligjeve të propozuara, e duke miratuar me shumicë ato shtatë ligje që kishte premtuar që do të kalonin vetëm me konsensusin e të gjithëve, duke kërkuar në çdo mënyrë për t’i kaluarr qeverisë së tij fuqinë e vetting-ut, por gjithmonë duke u fshehur pas presionit ndërkombëtar.
Tani Rama thotë se opozita është vetëm duke u përpjekur për të sabotuar vetting-un e gjyqtarëve, dhe ndoshta kjo është e vërtetë, por ky proces vetting-u që duhet bërë me çdo kusht, në fakt ka rrëshqitur në duart e qeverisë dhe nuk garantohet më nga ekuilibrat e mbajtur me shumë vështirësi në parlament.
Edhe një herë historia e politikës shqiptare është përsëritur: kush qëndron në pozicion avantazhi do të përdori këtë avantazh jo vetëm për të qeverisur, por për të fituar bindshëm dhe për të eleminuar kundërshtarin. Dhe kush qëndron më poshtë ështe i detyruar të dorëzohet ose të përmbys çdo gjë.
Situata është në fakt e bllokuar, sepse Basha ka prerë rrugët e një tërheqjeje të mundshme: ose merr qeverinë teknike ose ai dhe partia e tij humbasin e përfundojnë në një humnerë, nga ku vështirë të dilet.
Ndërkohë Rama është i detyruar të vazhdojë të mbajë në parti e në koalicion deputetë me të shkuar kriminale dhe të kërkojë ndërhyrjen e miqve ndërkombëtarë. Këta të fundit do të fillojnë të kuptojnë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë dhe kanë filluar tashmë të mërziten që janë përdorur deri në pikën sa kanë lënë keq në telashe përfaqësuesit e tyre, të cilët në fund rrezikojnë të paguajnë çdo gjë.
Kryeministri Rama, po ashtu, po përpiqet të ruajë sa më shumë mandatet e deputetëve të majtë me të shkuar kriminale. E nëse Komisioni Qendror Zgjedhor do t’ia dalë të ruajë mandatet e këtyre deputetëve në parlament, atëherë Lulzim Basha ka të drejtë në kauzën e tij: zgjedhjet nuk mund të garantohen nga një organ shtetëror i cili qëllimisht injoron ligjin për të ndihmuar kryeministrin.
Nëse Komisioni Zgjedhor do të ketë sukses për të bllokuar përfundimin e mandatit të parlamentarëve të përfshirë në mënyrë të qartë në histori kriminale, njëkohësisht do të provohet që Basha ka të drejtë: zgjedhjet nuk mund të garantohen nga një organ shtetëror i cili qëllimisht injoron ligjin për të ndihmuar kryeministrin.
Nëse qeveria insiston tek vetting-u e Basha insiston në qeveri teknike, në fund rezultati mund të jetë vetëm zgjedhje groteske me një parti të vetme, me një krizë të thellë të parimeve demokratike, me paqendrueshmëri, e mbi të gjithë pa hapje të negociatave me BE-në. Kështu Rama, edhe pse do të ketë fituar zgjedhjet, nuk do të ketë fituar asgjë , dhe do të njihet nga të gjithë si përgjegjës kryesor për situatën katastrofike të vendit.
Nëse Rama zgjedh të pranojë kushtet e opozitës dhe qytetarëve protestues, pra të japë dorëheqjen e t’i lërë vendin qeverisë teknike, ai do të vendosej automatikisht në pozicion të privilegjuar për të përcaktuar detajet e qeverisë teknike. Kështu mund t’i kalonte asaj dhe ndonjë nga të metat e qeverisjes së tij, si për shembull arrogancën.
E në disa muaj mund të kthehet sërish aty ku është tani.