Ibrahimaj: Po luftojmë informalitetin në deklarimin e pagave më të ulta

Nga Exit News
Ibrahimaj: Po luftojmë informalitetin në deklarimin e pagave më të ulta

Delina Ibrahimaj, Drejtore e Përgjithshme e Tatimeve, deklaroi të martën se administrata tatimore po zbulon punonjësit që kanë deklaruar paga më të ulta se sa mesatarja e profesionit të tyre, si masë për të luftuar informalitetin.

Gjatë një deklarate për emisionin ‘Me pak fjalë’ në Euronews Albania Zonja Ibrahimaj u shpreh:

“Gjatë gjithë vitit kemi targetuar punonjës të cilët pagat e tyre janë nën mesataren e profesioneve të tyre. Strategjia që po ndjekim është duke dërguar letra, duke bërë informime, pasi nuk duam që të vendosim penalitete, por të nxisim tatimpaguesin drejt vetërregullimit.”

Zonja Ibrahimaj theksoi se drejtoria e Tatimeve po punon në disa drejtime për të ulur sa më shumë informalitetin në punë dhe nxitur formalizimin e sipërmarrjeve të vogla.

Ajo sqaroi se fokusi i institucioneve nuk do të jenë bizneset e vogla, por ato biznese që janë pranë kalimit në një fashë më sipër tatimore dhe tentojnë të abuzojnë për të mos arritur nivelin e xhiros vjetore për të kaluar në fashën tjetër.

“Jam e bindur që kjo politikë, në ndërthurrje me politika të tjera, do të na ndihmojnë që të ulim informalitetin dhe ta ulim punën e administratës tatimore në një grup shumë të vogël biznesesh.”

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>