Teksa vendi ka bërë 8 reforma zgjedhore në 20 vitet e fundit dhe pothuaj asgjë nuk ka ndryshuar, këtë herë partitë politike po e kërkojnë shpëtimin tek futja e teknologjisë së informacionit në verifikimin e votuesve.
A mund të realizohet një sistem i tillë në kohën rekord botëror prej 3-4 muaj?
Nëse po, çfarë rreziqesh mund të ketë për cilësinë e zgjedhjeve dhe të drejtat e njeriut ky projekt?
Për këto u diskutua të mërkurën në mbrëmje në emisionin ‘Me pak fjalë’ në Euronews Albania.
Reforma zgjedhore që sapo ka përfunduar ricikloi qasjen e vjetër të arnimeve teknike dhe ligjore në letër pa prekur mekanizmat e vërtetë që manipulojnë votën: partitë politike.
Garancia që zgjedhjet nuk do vidhen u justifikua me futjen e teknologjisë në zgjedhje, megjithëse një eksperiment i tillë ka dështuar në të shkuarën.
Por pas këmbënguljes së opozitës për përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje, shumica dhe opozita ranë dakord që gjatë punimeve në Këshillin Politik të diskutonin për këtë.
U fol për identifikim biometrik, pra identifikim të zgjedhësve me shenjat e gishtit, u fol për votim elektronik dhe për shumë, por u përfundua në një gjë të thjeshtë: leximin e kartave të idenditetit me aparat elektronik, të quajtur pra identifikimin automatik të zgjedhësve.
Si do të funksionojë kjo skemë?
Në çdo qendër votimi do të instalohet një pajisje elektronike e cila bën leximin e kartave të idenditetit apo pasaportave, duke lexuar chipin elektronik të tyre. Pajisjet punojnë më vete dhe offline, pa komunikuar dot me asnjë pajisje tjetër apo rrjet kompjuterik.
Në çdo makinë do të jetë regjistruar një program kompjuterik verifikimi, i cili përmban listën e zgjedhësve për të gjithë zonën zgjedhore përkatëse. Pra votuesi hyn në Qendrën e Votimit dhe i paraqit verefikusve kartën ose pasaportën.
Karta ose pasaporta lexohet nga pajisja, e cila kryen tre detyra:
- Verifikon idenditetin e votuesit;
- Verifikon nëse votuesi është i regjistruar në zonën zgjedhore dhe qendrën e votimit;
- Zbulon nëse me të njejtën kartë ëhstë votuar më parë duke ndaluar votimin e shumëfishtë brenda së njejtës qendër votimi.
Nëse të dhënat e votuesit nuk përputhen me ato të kartës, dhe imazhi nuk përputhet me personin, ai nuk lejohet të votojë.
Përveç kësaj, reforma zgjedhore e bërë mes opozitës dhe shumicës verën e vitit 2020, ka shtuar dhe një hallkë tjetër: marrjen e shenjave të gishtrinjve në vend të firmës.
Siç shpjegoi Leabla Pelinku në një intervistë për ‘Me pak fjalë’: ‘Personi nënshkruan me anë të shenjave të gishtërinjve. Domethënë ata do të nënshkruajnë me shenjë gisht, jo identifikim me shenjë gishti.’
Pra, që të kesh të drejtë të votosh duhet të japësh shenjat e gishterinjve.
Ato do të merren në një pajisje skaner të gishtërinjve, e cila e merr imazhin dixhital dhe e lidh atë me makinerinë lexuese, duke lidhur shenjat me identititetin. Shenjat e gishtrinjve do të regjistrohen në memorjen e makinës.
Pas përfundimit të procesit të votimit dhe identifikimit elektronik, të gjitha këto pajisje do të shkojnë në KQZ, ku të dhënat e secilës kuti do të kontrollohen më njerë-tjetrën për të parë nëse një person ka votuar dy herë në qendra të ndryshme votimi.
Por marrja e shenjave të gishtave dhe ndërtimi i një database me to është ngre një çështje të madhe sigurie.
Shenjat e gishtrinjve janë një e dhënë e ndjeshme, e cila nëse keqpërdoret krijon probleme për qytetarët.
Për të kuptuar se sa e rëndësishme është kjo, mjafton të dimë se aktualisht shenjat e gishtërinjve për kartën e idetiitetit merren përmes një sistemi të sigurtë, nga njerëz profesionistë, në mjedise të kontrolluara. Ato ruhen në një databazë tek e cila nuk ka askush akses, madje as qeveria.
Por duket se qeveria ka gjetur një mënyrë tjetër për të krijuar databazën e gishtërinjve.
Në fund është çështja se çfarë do ndodhë me këto të dhëna. A mund të abuzohen ato nga qeveria? A mund të përdoren ato për qëllime të tjera?
Konventa Europiane për Mbrojtjen e të Dhënëve Elektronike e ndalon kategorisht që këto shenja gishtash të përdoren për qëllime të tjera nga ai i cili janë marrë, pra për zgjedhejt.
Por a do t’i shpëtojë tundimit qeveria që të përdorë këtë “thesar” që mund ta përdorë për qëllime të mira dhe për abuzime.
Kjo mbetet për tu parë.