Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka paralajmëruar se vendi do të përfshihet nga reshje të dendura shiu të cilat mund të shkaktojnë përmbytje si pasojë e daljes së lumenjëve nga shtrati.
Në njoftimin e IGJEUM thuhet se përgjatë datave 7 -11 Janar priten reshje shumë intensive, pothuajse në të gjithë territorin.
Lumenjtë Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë do të kenë rritje të rrezikshme të prurjeve.
Prurjet maksimale të lumit Drin-Buna parashikohet të arrijnë zonat e rrezikuara në datën 12 Janar.
Lumenjtë Mat, Ishëm, Erzen dhe Shkumbin do i arrijnë prurjet maksimale në fundin e datës 8 dhe 9 Janar 2021
Lumenjtë Seman dhe Vjosa parashikohen të rrezikshëm por me probleme më të vogla lokale të përmbytjeve.
Të enjten dhe të premten priten reshje shumë intensive në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër.
Në Durrës, Tiranë dhe Elbasan priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive.
Në qarqet Fier, Berat dhe Korçë mesatare deri lokalisht intensive.
Në veri dhe lindje në lartësitë mbi 600m reshjet do të jenë në formë bore.