Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) rinisi sot aksionin e shembjes së ndërtesave në lotin e parë të Unazës së Re, që përfshin rrethrrotullimin te Sheshi Shqiponja.
Aksioni i sotëm nisi në orët e para të mëngjesit me forca të shumta policie që bllokuan qarkullimin rrugor duke shkaktuar edhe kaos në trafik.
Gazetari Erion Skëndaj raportoi për BalkanWeb se ditën e sotme parashikohej të shembeshin 5 ndërtesa, ndërsa të nesërmen pritet të shembet një ndërtesë 5-katëshe me eksplozivë.
5 ndërtesat që shemben sot:
- 3 ndërtesa 2 katëshe
- 1 ndërtesë 1 katëshe, ish-oficinë
- 1 ndërtesë 4 katëshe
Ndërtesat janë në rrugën Teodor Keko rreth 250 metra në jug të Sheshit Shqiponja, pranë ndërtesës 5 katëshe të Egi Center, e cila do të shembet me eksplozivë ditën e nesërme.
Në godinën 5 katëshe të Egi Center muajin e fundit janë vendosur rreth 70 banorë të prekur nga tërmetet. Ish-deputeti Klevis Balliu tregoi me një postim në Facebook se ata ishin nxjerrë nga ndërtesa me detyrim.
Mediat raportuan se nuk pati asnjë incident apo rezistencë nga banorët.
IKMT nisi aksionin e parë në nëntor 2019 ku shembi rreth 35 ndërtesa në Sheshin Shqiponja. Bashkë me shembjet e këtyre ditëve të fundit Inspektoriati e çon në total 41 ndërtesa të shembura në Lotin e I-rë të Unazës së Re.
Siç Exit News ka analizuar shembjet janë vetëm në lotin e parë në Sheshin Shqiponja, pasi në 2 pjesët e tjera të Unazës së Madhe – segmenti Ura e Lanës-Astir dhe Astir-pallati me shigjeta i kanë tenderat e bllokuar.