Ilaçet e pasigurta që përdorin shqiptarët

Nga Ardiana Capi
Ilaçet e pasigurta që përdorin shqiptarët

Nëse pyesni shqiptarët ç’mendojnë per barnat, do t’ju thonë dy gjëra: e para që mungojnë sistematikisht në spitale (shpesh edhe në farmaci nuk gjendet më i njejti bar me të cilin fillon kurën) dhe e dyta, që nuk janë të sigurta.

Po pse ky perceptim?

Le të gjejmë pse-të.

Në Shqipëri konsumojmë barna të importuara dhe barna të prodhuara në vend.

Importet vijnë shumica nga vende EU, pjesa tjetër vjen nga vendet e rajonit, si Turqia dhe fare pak vinë nga jashtë Europe.

Po si i kontrollon shteti ynë barnat që importohen?

Nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Laboratorit të saj. Po a është në gjendje një Laborator, sado modern dhe efikas, të kontrollojë çdo import, çdo lot, çdo kuti bari që hyn në Shqipëri? Sigurisht që jo. Dhe jo për mangësi të tij, por sepse edhe jashtë nuk funksionon kështu; është praktikisht e pamundur të analizohet çdo bar që importohet.

Atëhere të shohim si funksionon bota: ka mbi 20 vjet që në Europë është unifikuar një sistem elektronik i kontrollit të barit, që nga prodhuesi, tek Agjencia e Barnave qe jep miratimin për tregtimin e tij, tek shpërndarësi, farmacisti, mjeku e deri tek pacienti. Quhet “sistem i farmakovigjilencës së barit”.

Në rast problemesh të paparashikuara gjatë marrjes së barit nga pacienti, ky i fundit ose farmacisti i tij ose mjeku i familjes raportojnë direkt elektronikisht, por edhe me shkrim pranë Qendrës Kombëtare të Farmakovigjilencës. Raportimi është serioz, professional, i argumentuar dhe i plotë. Çdo raportim përpunohet menjëherë, njoftohet kompania prodhuese dhe bari tërhiqet nga tregu (ose, merren masa të tjera).

Ku jemi ne?

Tek thashethemet me ose pa argumenta mbi cilësinë e barnave, tek mjekët që mbushin recetat akoma me barna të shtrenjta në kurriz të xhepit të pacientit, tek barna që në Europë ose janë tërhequr ose janë pezulluar por që ne nuk kemi informacion.

Por më e keqja nuk është kjo.

Më e keqja është se sapo janë harxhuar një mal me lekë (dhe të tjera do të shpenzohen) për recetën elektronike, por… është “harruar” të futet sistemi i kontrollit të farmakovigjilencës që ka bota.

Pra, është sikur të kemi inaguruar një autostradë dhe të na duhet ta prishim më pas (sepse nëse një ditë do të hyjmë në BE dhe farmakovigjilenca është e detyrueshme etje).

Le të shohim tani sigurinë e barnave që prodhohen në vend.

Për të prodhuar barna, kompanitë kanë nevojë për një liçencë të praktikës së prodhimit të mirë që quhet GMP. Tashmë në rajon, prodhuesi më i madh maqedonas, ka GMP rumune, ai serb GMP europiane. Vetëm ne, Mali i Zi dhe Kosova lejojmë prodhim farmaceutik vendas me GMP  të lëshuar nga Ministria vendase.

Po a është në gjendje kjo Ministri të lëshojë liçencë prodhimi farmaceutik?

Ministria jonë ka një komision për dhënien e liçencës së prodhimit farmaceutik pa asnjë specialist/inspektor prodhimi, kur në botë këtë punë e bëjnë inspektorët më të mirë, me eksperiencë shumë vjeçare në prodhim farmaceutik.

AIFA italiane (Agjencia e barnave italiane), është ofruar të trajnojë për ne inspektorë prodhimi që më 2009-ën nëpërmjet një marrëveshje bashkëpunimi, por, mesa duket, ministrat tanë nuk e kanë parë të nevojshme.

E zëmë se në Shqipëri hynë apo u prodhuan barnat më të mira, si shpërndahen ato?

Është e detyrueshme në botë që kush shpërndan barna të firmosë një dokument që quhet GDP (praktika e mirë në shpërndarje). Edhe tek ne, për të marrë licencë të shpërndarjes së barnave (licence për depo farmaceutike), nënshkruhet një vetëdeklarim që Drejtuesi Teknik njeh dhe zbaton GDP-në. Po cilën GDP?

Sepse asnjëherë nuk është hartuar një e tillë, megjithëse sipas Ligjit te Barnave të 2014-ës, duhej të ishte gati që në fund të atij viti si akt nënligjor. Megjithëse do të mjaftonte të përkthehej një GDP europiane.

Mesa duket nuk është çështje me përparësi.

Pra, depot firmosin diçka të rremë, por ama janë të lira të transportojnë barnat me skuter, siç tashmë nuk transportohen më as picat. Sepse nuk ligj që t’i ndalojë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>