Ilaçi japonez mund të japë efekte pozitive tek të prekurit me koronavirus

Nga Exit News
Ilaçi japonez mund të japë efekte pozitive tek të prekurit me koronavirus

Autoritetet mjekësore në Kinë janë shprehur se një ilaç, i përdorur në Japoni për të trajtuar llojet e reja të gripit, duket se ka dhënë rezultate efektive në pacientët me koronavirus.

Sipas një lajmi të botuar në median amerikane CNBC, syrtarë nga Ministria e Shkencës dhe Teknologjisë në Kinë, janë shprehur se medikamenti Favipiravir, i zhvilluar nga Fujifilm, ka dhënë rezultate inkurajuese në provat klinike që përfshinin 340 pacientë në Wuhan dhe Shenzhen.

Pacientët të cilëve u është dhënë medikamenti në Shenzhen u negativizuan ndaj virusit pas mesatarisht katër ditësh, në ndryshim ndaj pacientëve të cilët nuk i janë nënshtruar këtij mjekimi, të cilët rezultuan negativë pas mesatarisht 11 ditësh.

Për më tepër, grafitë e bëra ndaj pacientëve të mjekuar më të, konfirmuan përmirësime në gjendjen e mushkërive në rreth 91% të pacientëve që ishin trajtuar me Favipiravir, krahasuar me 62% të pacientëve të tjerë.

Fujifilm Toyama Chemical, e cila ka zhvilluar medikamentin – i njohur gjithashtu si Avigan – në vitin 2014, nuk ka pranuar të komentojë mbi këto gjetje.

Mjekët në Japoni po përdorin të njëjtin medikament në studimet klinike mbi pacientët me koronavirus me simptoma të buta e të moderuara, me qëllim që të kontrollohet disi përhapja e virusit në popullsi.

Por një burim i Ministrisë së Shëndetësisë japoneze sugjeroi se ilaçi nuk rezulton aq efektiv tek personat me simptoma më të rënda. “Ne i kemi përshkruar Aviganin 70 deri në 80 personave, por duket se nuk funksionon aq mirë kur virusi është përhapur në organizëm’’.

Të njëjtat rezultate janë identifikuar në studimet që përfshijnë pacientët me koronavirus duke përdorur një kombinim të antiretroviralëve për pacientët me HIV – lopinavir dhe ritonavir, shtoi burimi.

Në vitin 2016, qeveria japoneze furnizoi me Favipiravir Guinean, për të luftuar shpërthimin e virusit Ebola.
Përdorimi i gjerë i Favipiravir te pacientët Covid-19 ka nevojë për miratimin e qeverisë, pasi ai është medikament i prodhuar për trajtimin e gripit.

Një zyrtar shëndetësor japonez deklaroi për shtypin vendas se medikamenti mund të aprovohet për përdorim të gjerë duke filluar nga muaji maj, në rast se nuk ka vonesa në rezultatet finale të hulumtimit klinik.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>