Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe gjyqtari Markelian Kuqo kanë debatuar, të mërkurën, gjatë seancës në KLGJ për shkarkimin e Kuqos.
Me kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, KLGJ po shqyrton nëse vendimi i Kuqos për të liruar kriminelin, Gerd Gjenerali, është i drejtë apo jo.
Sipas drejtuesit të ILD-së Artur Metanit, vendimi i Kuqos është i padrejtë dhe ‘cenon imazhin e sistemit gjyqësor’. Metani theksoi se lirimi me kusht i një të dënuar përsëritës për vepra të rënda penale, përbën rrezik për komunitetin.
Ai e quajti gjyqtarin Kuqo ‘të padenjë për të vijuar detyrën’ dhe i kërkoi KLGJ-së shkarkimin e tij.
Ndërsa gjyqtari Kuqo e quajti procesin ndaj tij ‘të nxituar’ dhe me ‘qëllime të paracaktuara’.
Ai e justifikoi vendimin për lirimin e Gjeneralit me dokumentet nga burgu i Drenovës ku thuhej se i burgosuri mund të integrohej në shoqëri:
“Administrova raportin e IEVP Drenovë. Në raport thuhej se rehabilitimi i tij ishte i mundshëm. Administrova edhe raportin e zyrës së provës dhe sipas këtij raporti, ishte i mundshëm integrimi i tij në shoqëri. Shkeljet që më drejtohen nuk janë të vërtetuara.”
KLGJ ende nuk ka marrë një vendim për gjyqtarin Kuqo.
Historiku i ngjarjeve
Më 3 gusht, ILD rekomandoi shkarkimin e gjyqtarit Markelian Kuqo, pasi ka liruar nga burgu, në mënyrë të dyshimtë, Gerd Gjeneralin, i njohur si një prej ‘të fortëve të Tiranës’.
Gjyqtari i Korçës Kuqo, në shkurt 2019, vendosi lirimin me kusht të Gerd Gjeneralit, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje në Itali në vitin 1997.
Pas vendimit për lirimin e Gjeneralit, Ministria e Drejtësisë kërkoi hetimin e rastit.
Gerd Gjenerali (Gjinarari) ishte dënuar me burgim të përjetshëm në Itali në fillim të viteve 2000, për akuzën e vrasjes për hakmarrje të Naim Zyberit dhe dy shqiptarëve të tjerë.
Ai u transferua në Shqipëri në vitin 2014 për të vuajtur dënimin.
Katër vjet pasi u trasferua në Shqipëri ai ka kërkuar në Gjykatën e Korçës lirimin me kusht dhe pas rreth 10 seancash gjyqtari Markelian Kuqo ka pranuar kërkesën e tij.
Shkak për pranimin e kërkesës së lirisë me kusht ishin sipas gjyqtarit Kuqo, se ai “ka bërë përpjekje për shuarjen e pasojave të veprave penale” dhe se ka normalizuar plotësisht “marrëdhëniet me trashgimtarët e viktimave”.