ILD, PD: Të skualifikohet Artur Metani nga gara, kandidimi i tij bie ndesh me Kushtetutën

ILD, PD: Të skualifikohet Artur Metani nga gara, kandidimi i tij bie ndesh me Kushtetutën

Partia Demokratike i kërkoi sot Këshillit të Emërimeve në Drejtësi skualifikimin e Artur Metanit nga gara për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Sekretari për çështjet ligjore në PD, Çlirim Gjata sqaroi në një dalje publike, se përse kualifikimi i Artur Metanit nga KED si një nga kandidatët kryesorë për postin e ILD-së është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e paketës së reformës në drejtësi.

Artur Metani është aktualisht Avokati i Shtetit, emëruar direkt nga Kryeministri Rama.

Po ashtu, në periudhën Maj 2002-Korrik 2012, Zoti Metani ka mbajtur funksionin e Këshilltarit Juridik të Presidentit të Republikës.

Ligji i vetingut, në nenin 3, pika 17, e konsideron pozicionin e Këshilltarit të Presidentit si ‘funksion politik’ në administratën publike.

Për këto arsye, sekretari per çështjet ligjore në PD, Çlirim Gjata sqaroi se kandidatura e Metanit bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të Drejtësisë”.

Në nenin 147/d, pika 3 të Kushtetutës përcaktohet qartë se “…Kandidati për Inspektor të Lartë të Drejtësisë nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit”.

I njëjti kusht përcaktohet dhe në nenin 199/pika 1/dh të ligjit për organet e drejtësisë.

Zoti Metani po ashtu është vëllai i deputetes dhe ish-ministres socialiste Eglantina Gjermeni.

“Metani, aktualisht mban postin Avokat të Shtetit, i emëruar këtu direkt nga Kryeministri Rama. Ai është gjithashtu edhe vëllai i deputetes dhe ish-ministres socialiste, Eglantina Gjermeni. E pra në këto vënde Edi Rama nuk cakton pa dhënë prova të forta besnikërie,” u shpreh Zoti Gjata.

Zoti Gjata e mbylli deklaratën e tij duke thënë se emërimet e njerëzve të afërt me Ramën në poste kyçe të sistemit të ri të drejtësisë po ulin ndjeshëm besimin e qytetarëve të pavarësinë e organeve të reja të drejtësisë.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>