Kryeministri Rama lavdëroi sot në Kuvend miratimin e ndryshimeve ligjore, të cilat i japin të drejtën Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë (ILD) të kontrollojë dhe nisë hetimet ndaj prokurorëve dhe gjykatësve.
“Sot ne i japim një fuqi të re ILD, duke i dhënë mundësi ILD të reagojë në mënyrë të menjëhershme ndaj vendimeve haptazi korruptive dhe kriminale të gjykatësve, duke kërkuar pezullimin e tyre nga detyra brenda 3 ditëve. Sot ne i japim ILD instrumentin e pezullimit të menjëhershëm, duke i hapur rrugë hetimit të menjëhershëm të gjykatësve në fjalë”, tha Rama.
Me ndryshimet e reja ligjore, ILD do të hetojë pasurinë e prokurorëve e gjykatësve, të cilët ende nuk i janë nënshtruar procesit të vetingu. Mbi bazën e këtij kontrolli, ILD do të ketë të drejtën të pezulloj nga puna gjykatësit dhe prokurorët, e më pas do të nismë hetimet ndaj tyre.
Në këtë mënyrë, Kryeministri Rama permes ILD-së po zëvendëson procesin e vetingut, dhe institucionet e vetingut KPK dhe KPA, duke bërë veting paralel. Kjo gjë do të jetë një mjet presioni dhe do të vërë nën kontrollin e qeverisë të gjithë sistemin e drejtësisë.
Këto ndryshime ligjore janë pjesë e paketës Anti-KÇK, për hetimin dhe dënimin e gjykatësve dhe prokurorëve.
Kryeministri, gjithashtu, sot nga foltorja e Kuvendit sulmoi analistët dhe gazetarët, të cilët kritikojnë paketën Anti-KÇK, dhe kërkojnë që hetimi të nisë nga pasuritë e politikanëve.
“Ka një tjetër zhurmë të madhe nga ata që e kundërshtojnë paketën, nga media e analistë që paguhen nga krimi i organizuar për t’iu bërë avokatin, dhe thonë ‘pse nuk e filloni nga vetja, nga Surreli’
Nuk është policia që duhet të kontrollojë pasuritë e politikanëve apo të gjykatësve. Nuk është qeveria, larg qoftë, që duhet të kontrollojë pasuritë e politikanëve apo gjykatësve, se nuk jemi në vitin 1945”, tha Kryeministri Rama.