Ilir Meta gjen fatin e Ilir Metës

Nga Ilmi Rehova
Ilir Meta gjen fatin e Ilir Metës

Ilir Meta është njeriu që ka përcaktuar direkt ose indirekt rezultatin e të gjitha zgjedhjeve politike qysh nga viti 2005, përmes manovrave dhe krahëve që ai ka zgjedhur, nisur nga interesat apo armiqësitë e tij politike.

Në vitin 2002, Ilir Meta u shkëput nga PS, pas mosmarrëveshjeve me udhëheqësin socialist Fatos Nano, kundër të cilit Ilir Meta kishte punuar apo rivalizuar që në fillim të viteve 1990-të kur Fatos Nano ishte i burgosur.

Lëvizja Socialiste për Integrim, partia që ai krijoi pas largimit nga PS, konkuroi e vetme në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, zgjedhje të zhvilluara sipas sistemit maxhoritar—qytetarët votonin direkt për kandidatët përkatës në çdo zonë elektorale dhe ai që fitonte më shumë vota shpallej deputet. Kandidatët e LSI-së, me votat që i shkëputën të majtës, qenë përcaktues për fitoren e të paktën 10 deputetëve të PD-së dhe të tre të tjerëve të koalicionit të djathtë. Nëse LSI do të kishte garuar në koalicion me PS-në, zgjedhjet do t’i kishte fituar sërish, për një mandat të tretë, e majta e udhëhequr nga Fatos Nano.

Pas largimit të Fatos Nanos dhe ardhjes së Edi Ramës në krye të PS-së, Ilir Meta u rreshtua fillimisht në krah të Ramës. Në zgjedhjet lokale të vitit 2007, PS në koalicion me LSI fitoi në Tiranë dhe në shumicën e bashkive të rëndësishme të vendit, edhe pse qeverisja e Sali Berishës ishte në kulmin e shkëlqimit të saj.

Në vitin 2008, Ilir Meta u prish me Edi Ramën, pasi ky i fundit dhe Sali Berisha ndryshuan sistemin zgjedhor, duke futur sistemin proporcional rajonal, sistem i cili godiste partitë e vogla, në rradhë të parë LSI-në.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, LSI konkuroi më vete duke braktisur koalicionin me PS-në. LSI siguroi fitoi deputetë në këto zgjedhje dhe pas tyre u bashkua në qeverisje me PD-në duke siguruar sëbashku një shumicë prej 71 deputetësh. Atëhere u përfol se marrëveshja për koalicion paszgjedhor mes Ilir Metës dhe Sali Berishës ishte bërë që përpara zgjedhjeve dhe jo thjesht si domosdoshmëri numrash pas tyre.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2011, LSI zgjodhi sërish të qëndrojë në koalicion me PD-në. Ky bashkim solli humbjen e bashkisë së Tiranës nga Edi Rama dhe ardhjen në krye të Tiranës të Lulzim Bashës.

Dy muaj para mbarimit të mandatit të dytë të qeverisë Berisha, LSI vendosi të shkëputet nga koalicioni me të dhe iu bashkua koalicionit me Partinë Socialiste. Ky bashkim solli një rezultat spektakolar elektoral, duke i dhënë shumicës, PS dhe LSI më shumë se dy të tretat e Kuvendit. LSI arriti një rezultat të jashtëzakonshëm për të duke siguruar 20 deputetë.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2015, LSI u rreshtua përsëri në koalicionin e majtë çfarë risolli PS-në në krye të Bashkisë Tiranë. Në këto zgjedhje, LSI pothuajse dyfishoi numri e votave që mori në shkallë kombëtare, gati 17 për qind të totalit.

Rezultati i zgjedhjeve të vitit 2015, e përforcoi shumë idenë e përhapur në publik se LSI dhe Ilir Meta janë përcaktuesit se kush mban pushtetin në Shqipëri.

Ky nam dhe përfitimet e mëdha, të ligjshme dhe të paligjshme nga menaxhimi i një pjese të mirë të pushtetit, përfshi disa ministri dhe institucione të rëndësishme qëndrore, fuqizoi shumë pushtetin e LSI-së dhe krijoi besimin se LSI do të vazhdonte fuqizimin e saj dhe do të arrinte rezultat të rëndësishëm elektoral në zgjedhjet e ardhshme. Madje kishte nga ata që nisur nga dobësia e perceptuar e opozitës krijuan përshtypjen se LSI mund të dilte forcë e dytë, pas PS-së, në zgjedhjet e vitit 2017.

Ndërkohë gjatë katër vjetive të fundit, pavarësisht gëzimit të çdo përfitimi nga bashkëqeverisja me PS-në, Ilir Meta dhe LSI u “kujdesën” shumë që të krijojnë përshtypjen se ata nuk ishin shumë të kënaqur me PS-në dhe madje mund të bashkoheshin edhe me PD-në në të ardhmen. Kjo gjë u shërbeu, nga njëra anë, për të mbajtur PS-në nën trysni e për të vjelë prej saj sa më shumë koncesione në qeverisje e privilegje dhe, nga ana tjetër, për ta mbajtur PD-në të joshur që ajo të mos e sulmonte.

Si rezultat i kësaj aftësie në manipulmin e imazhit dhe opinionit publik, takimet Rama-Meta u kthyen në ngjarje të mëdha kombëtare, të cilat fryheshin paraprakisht si ngjarje që do kishin pasoja gati historike edhe pse nuk sillnin asgjë të tillë, bëheshin burim thashethemesh e legjendash të llojit “takimi shkoi keq dhe Ilir Meta ia ka mbledhur”.

Shumë komentatorë, figura publike e politike ishin të bindur dhe përhapnin kudo bindjen se Ilir Meta shumë shpejt do të bënte manovra politike që do të ndryshonin politikën.

Ndërkohë përtej kësaj mjegullnaje të shtirur, marrëdhënia praktike qeverisëse PS-LSI shkoi gjithmonë në mënyrë të shkëlqyer: mes LSI-së dhe PS-së nuk pati kurrë ndonjë mosmarrveshje, apo ndryshim në qendrime në lidhje me ndonjë projekt, kontratë, koncesion, propozim apo ligj të çfarëdo lloji.

Gjërat duken se ndryshuan gjatë procesit të miratimit të reformës në drejtësi. Besohet se Edi Rama e kishte paraqitur Ilir Metën në rrethet e huaja si pengesa që e ndalonte atë të luftonte korrupsionin. Nisur nga kjo dijeni, në dukje e konfirmuar nga qendrimi i ftohtë ndaj tij i përfaqësuesve të qeverive kryesore perëndimore—veçanërisht shmangies së tij nga Sekretari amerikan i Shtetit dhe Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit gjatë vizitave të tyre në Tiranë—Ilir Metës duket se iu krijua bindja se Edi Rama donte të përdorte reformën në drejtësi për ta kryqëzuar atë. Nga ana tjetër, me të drejtë apo jo, PD ishte e bindur se reforma në drejtësi ishte përpjekje e Edi Ramës për të kapur sistemin e drejtësisë dhe për ta përdorur atë pastaj kundër saj.

Në këto kushte, gjatë muajve të fundit të miratimit të reformës, verën 2016, mes Ilir Metës dhe Sali Berishës u krijua një aleancë për të ndryshuar reformën në drejtësi në atë formë që do të shmangte çdo lloj kontrolli të njëanshëm nga Edi Rama dhe mbi të gjitha, duke ruajtur një farë kontrolli nga opozita.

Edhe pse betejën publike kundër variantit Rama të reformës e zhvilloi PD, në të vërtetë pengesa për miratimin e saj ishte LSI, pasi votat e saj ishin të domosdoshme për të arritur shumicën prej 93 votash të nevojshme për ndryshimet kushtetuese që kërkonte miratimi i reformës.

Edi Rama me mjeshtëri i manovroi ngjarjet dhe të huajt për ta kthyer kundërshtinë e PD-së dhe LSI-së në përplasje direkte me të huajt. Në këto kushte, në fillim të verës së shkuar, Ilir Meta dhe Sali Berisha apo Lulzim Basha vendosën të përpiqen ta largojnë Edi Ramën nga kryeministër me anë të një mocioni mosbesimi në Kuvend.

Por Edi Rama u tregua, përsëri, më i zhdërvjellët dhe arriti të siguronte besnikërinë e 71 deputetëve, duke e bërë të pamundur mocionin e mosbesimit LSI-PD. Ndër deputetët që Edi Rama bindi ta mbështesin ishin edhe ata me të cilët ishte ndarë formalisht, Tom Doshi, Vladimir Kosta dhe Armando Prenga.

Sidoqoftë, PD dhe LSI qëndruan deri në fund kundër variantit Rama të reformës dhe në fund u shpërblyen me ndryshimin e përmbajtjes së saj sipas kërkesave të PD-së.

Ky bashkëpunim i suksesshëm midis PD-së dhe LSI-së ngjalli shpresë tek demokratët, të cilët psikologjikisht kishin qenë gjithmonë të varur nga LSI-a, duke besuar se ata nuk mund të riktheheshin në pushtet pa bashkëpunimin me LSI-në.

Në opinionin publik u përhap gjithmonë e më shumë ideja se LSI do të largohet nga koalicioni me PS-në pak muaj para zgjedhjeve për të garuar e vetme dhe pastaj për të krijuar një koalicion në mënyrë të preferuar me PD-në pas zgjedhjeve. Kjo ide u përforcua nga mospjesëmarrja aktive e LSI-së në fushatën në zgjedhjet e parakohshme për bashkinë e Dibrës dhe më pas nga një sërë deklaratash të politikanëve të lartë të saj për përhapjen e kanabisit dhe përgjegjësisë së policisë për këtë gjë.

Mund të ketë gjasa që vendimi i PD-së për të filluar qëndresën në çadër dhe për t’u larguar nga Kuvendi mund të jetë ndikuar nga pritshmëria apo ndoshta premtimi se LSI do të shfrytëzonte krizën e krijuar për t’u larguar nga qeveria. Por LSI e braktisi këtë mbështetje. Me gjasa nga frika e të papriturave elektorale apo nga kërcënimi i Edi Ramës me çfarëdo gjë që ai i ka Ilir Metës dhe që duket se e tmerron këtë të fundit. Ilir Meta vendosi të qëndronte në koalicion me PS-në edhe për mandatin e ardhshëm duke pranuar që vetë të merrte postin e presidentit.

PD duhet të jetë ndjerë e tradhtuar dhe e dëshpëruar që LSI pasi e kishte nxitur apo mbështetur për të hyrë në rrugën e ashpër e kishte braktisur atë pa asnjë paralajmërim. Sikur të mos mjaftonte kaq, befas dhe haptazi drejtuesit e LSI-së filluan të akuzonin direkt protestën e opozitës, sulme të cilat kulmuan me deklarimet e Monika Kryemadhit kundër Lulzim Bashës deri në thirrjen e saj për kthimin e Berishës në krye të PD-së.

Këto deklarimet shuan çdo lloj shprese të PD-së se LSI mund të ndihmonte kauzën e saj dhe qasjen e mundimshme dhe me shumë rreziqe që ajo kishte ndërmarrë. Në ditët më të vështira për PD-në, LSI zgjodhi që ta godiste pothuajse prapa shpine.

Para se Edi Rama dhe Lulzim Basha të uleshin për të arritur një marrëveshje, e cila pa dyshim kërkon të zbehë rolin e LSI-së, Ilir Meta kishte luajtur disa herë me të dy, i kishte përdorur të dy dhe i kishte tradhtuar të dy. Edi Rama ruante edhe armiqësi dhe inate të tjera me Ilir Metën.

Nga ana tjetër, Ilir Meta dhe LSI shikoheshin me frikë nga Edi Rama për shkak të mundësisë që të pakënaqurit nga pushteti i tij mund të përfundonin në rradhët e LSI-së. Ai prej vitesh ishte munduar të krijonte një alternativë të LSI-së duke mbështetur PDIU-në, por përsëri PDIU dukej ende e pakrahasueshme me LSI-në.

Marrëveshja e arritur mes Lulzim Bashës duket se ka një justifikim në dukje të dobishëm: ndryshimin e ligjit elektoral dhe të një sërë rregullimesh institucionale për të larguar mundësitë e krizave politike. Me sa duket nën këtë pretekst apo qëllim, ata kanë vendosur të minimizojnë edhe ndikimin politik të LSI-së dhe Ilir Metës.

Moslejimi i krijimit të koalicioneve elektorale duket se është vetëm hapi i parë në këtë drejtim. Ndryshimet e pritshme elektorale paszgjedhore me shumë gjasa do të krijojnë një sistem që shmang ndikimin e partive të vogla në politikë.

Por goditja më e madhe ndaj Ilir Metës nuk është ndryshimi i ligjit elektoral por goditja psikologjike—pak kush mendon sot se Ilir Meta është kyçi i pushtetit, se Ilir Meta është pashmangshmëri politike.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>