Kreu i Kuvendit dhe LSI-së Ilir Meta refuzoi sot të komentojë shkarkimin e ish-ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani.
Gjatë një konference për shtyp, Zoti Meta, pyetjes së gazetarës për shkarkimin e Zotit Manjani, iu pëgjigj:
Ka folur dje Erisa Xhixho dhe kryetari i grupit parlamentar të LSI-së Luan Rama për këtë gjë.
Ka çështje shumë më të rëndësishme për të diksutuar sot, që kërkojnë angazhimin dhe përqëndrimin tonë, si reforma zgjedhore.
Çdo ministër apo ish-ministër kur ka fakte, duhet të ndjekë rrugën institucionale. Mjaft me shashka. Jam për rrugën institucionale në luftimin e fenomeneve negative. Qytetarët të lodhur nga retorika fajësuese e politikës. Kush del jashtë këtij mesazhi institucional parimor ka përgjegjësinë e tij.
Pyetur nga gazetarët nëse shkarkimi i Ylli Manjanit ishte shenjë e dorëzimit të Metës ndaj Kryeministrit Rama, Zoti Meta iu përgjigj:
Ilir Meta nuk dorëzohet para asnjë lloj presion as nga zoti Rama, as nga zoti Berisha, nga Basha jo e jo dhe as nga brenda LSI-së.
Pyetur se përse LSI nuk shkëputet nga koalicioni qeverisës përderisa mes PS e LSI ka pasur shpeshherë kontradita, Zoti Meta deklaroi:
LSI nuk është një parti shtojcë. Nëse sot Rama konfirmon 71 mandate në mënyrë legjitime, LSI del në opozitë që tani. Nëse më 19 qershor, Edi Rama apo Lulzim Basha konfirmojnë 71 mandate, LSI del në opozitë.
Për kërkesën e tij për të mbledhur Këshillin e Sigurisë për mosarrestimin e Klement Balilit nga policia shqiptare, Zoti Meta tha:
Gjatë vizitës time në SHBA, i vetmi shqetësim nga agjencitë amerikane dhe që më kanë kërkuar që tu tërheq vëmendjen autoriteteve dhe institucioneve shqiptare ishte mos arrestimi i Klement Balilit.
Zoti Meta tha se aktualisht për Shqipërinë është me rëndësi të miratohet reforma zgjedhore.
LSI është e gatshme të mbyllet diku dhe t’i japim zgjidhje rekomdimeve të OSBE/ODHIR dhe kërkesave të arsyeshme të partive. Reforma zgjedhore duhet të kishte përfunduar me kohë.
Në fund, Zoti Meta foli për fenomenin e kanabizimit të vendit:
Fenomeni i kanabizimit të vendit duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë. Nuk duam të shohim më policë duke shkulur rrënjë kanabisi. Policia dhe institucionet e tjera duhet të parandalojnë. Kjo është fuqia e shtetit.