Imanuel Kanti dhe Edi Rama me Robert Çamçakizin

Nga Ana Mborja
Imanuel Kanti dhe Edi Rama me Robert Çamçakizin

Në një bisedë me Ilva Taren, në tetor 2013, duke komentuar takimin e tij me Presidentin Erdogan në Prizren të Kosovës—për të cilin disa komentatorë politikë e akuzuan për zell të tepruar oriental—pasi i quajti kritikët e tij idiotë, Kryeministri Rama u shpreh (nga minuta 5:27):

“…por Kanti thotë një gjë shumë të bukur: kur e akuzon tjetrin për diçka pa fakte, në fakt e akuzon për atë që ti vetë do bëje në vendin e tij.”

Që Kanti—një nga filozofët më të thellë të historisë, i shquar për trajtimin e koncepteve të vështira abstrakte me një gjuhë të ndërlikuar e pak të kuptueshme për njerëzit e zakonshëm—të jetë shprehur në mënyrë kaq mediokre na u duk e dyshimtë.

Sikurse na u duk pak e mundur që Kanti të ketë folur në këtë mënyrë për faktet, duke qenë se ai mendonte se:

“…në një kuptim, nuk ka fakte në natyrë ose më mirë ka një pafundësi faktesh potenciale në natyrë, nga të cilat gjykimi zgjedh disa, të cilat bëhen vërtet fakte nga vetë akti i përzgjedhjes.”

Dyshimin tonë e përforcoi dija se Kryeministri Rama formimin e tij intelektual e ka arritur, kryesisht, përmes filmave dhe këngëve, larg studimeve të thelluara apo leximit të veprave “të rënda” të llojit të Kritikës së Arsyes së Kulluar apo Metafizikës së Moralit të Imanuel Kantit.

Gjithsesi, menduam se në epokën e Google-it, të gjithë mund ta shijojnë kënaqësinë intelektuale të citateve që gjenden lehtë duke kërkuar në rrjet. Ndaj pandehëm se, ndoshta, Kryeministri mund të kishte perifrazuar me fjalët e tij ndonjë thënie të Kantit.

Por, pas shumë kërkimesh dhe konsultimesh arritëm në përfundimin se Kanti nuk ka thënë as fjalët që recitoi Kryeministri dhe as ndonjë gjë të ngjashme. Kryeministri e ka sajuar thënien “kantiane” tërësisht nga hiçi.

Në një rast tjetër, në tetor 2015, në një takim me rastin e 12 vjetorit të lumturimit të Nënë Terezës, Kryeministri Rama mbajti një fjalim në të cilin ndër të tjera u shpreh:

“Nënë Tereza thoshte që një zemër e ndarë është varrmihëse e paqes.”

Veçse (tashmë) Shën Tereza nuk i ka thënë kurrë këto fjalë. Ajo ishte e bindur se shkatërrues i paqes është aborti—qëndrimin kundër të cilit ajo nuk e ndryshoi kurrē dhe për këtë u kritikua dhe përçmua jo pak. Në fjalimin e marrjes së Çmimit Nobel për Paqen, Shën Tereza tronditi sallën dhe një pjesë të mirë të botës teksa deklaroi:

“Ka shumë gjëra që e shkatërrojnë paqen, por unë mendoj se shkatërruesi më i madh i paqes sot është aborti.”

Njësoj kritike Nënë Tereza ishte me divorcin. Në një letër drejtuar popullit të Irlandës në vitin 1994, përpara referendumit mbi legalizimin e divorcit, ajo u shpreh:

“Divorci është një nga vrasësit më të mëdhenj të familjes, dashurisë dhe unitetit.”

Duket se Kryeministri ka bërë një shartim të këtyre dy qendrimeve dhe ka shtuar edhe ca fjalë nga vetja. “Citimi” që ai i bën Nënë Terezës përveçse tonit bisedor—gati-gati sikur ato fjalë ajo ja ka thënë nga afër vetë atij—të bën përshtypje për përdorimin e metaforës, kryesisht, marksiste “varrmihës”.

Termi “varrmihës” u përdor fillimisht në Manifestin Komunist dhe në shkrime të tjera të Marksit, dhe më pas hyri në terminologjinë komuniste e u përdorur nga shumë drejtues komunistë, nga Lenini e Stalini tek Enver Hoxha. Metafora përdoret shumë rrallë në kontekste të tjera dhe nuk duket të jetë përdorur ndonjëherë nga Nënë Tereza.

fjalimin në diskutim, Kryeministri bën edhe një tjetër keqcitim të çuditshëm të Nënë Terezës. Ai sjell një thënie nga filmi italian La Grande Belleza, të cilën në film e artimulon një murgeshe, që në pamje duket si e urdhërit të Nënë Terezës. Por Kryeministri këto fjalë të skenaristit të filmit i ka marrë si të Nënë Terezës dhe nisur prej tyre “filozofon” gjatë në fjalim për filozofinë e shenjtores.

Kjo sjellje duket e pazakontë, pasi në fakt, Zoti Rama shquhet për mjeshtëri në përcjelljen e ideve dhe shpjegimit të botës me anë të batutave të filmave të realizmit socialist, ndër të cilat më të famshme janë ato me Robert Çamçakizin apo Pjetër Mustakuqin, dhe jo përmes filozofisë.

Para pak ditësh, Kryeministri Rama sajoi një tjetër citim nga hiçi për ta përdorur për të sulmuar “armikun”, pra, kundërshtarin e tij politik. Duke folur para policëve, në mënyrë të menduar Kryeministri u shpreh:

Milan Kundera, një shkrimtar i madh dhe një disident i njohur çek, shkruan: ‘Armiku më i madh i policisë nuk është krimi, por vetmia. Vetmia që lind nga mungesa e mbështetjes, nga shtypja apo nga mungesa e vëmendjes për të dëgjuar.

Kundera nuk i ka thënë këto fjalë, sikurse ne jemi shprehur këtu dhe sikurse e sqaron gjatë Ardian Vehbiu në një artikull të këndshëm në Peizazhe të Fjalës. Në të vërtetë Milan Kundera ka thënë diçka tjetër:

“Nuk janë armiqtë ata që të dënojnë me vetmi, janë miqtë e tu.”

Citimet e gabuara, sajesat dhe trillimet intelektuale të Kryeministrit Rama janë të shumta. Pse i bën ai ato? Unë nuk mund të flas me siguri, por mendoj se boshllëku intelektual, mania për t’u dukur dhe lehtësia për të gënjyer, në mos qofshin shkaqet, janë patjetër lehtësi e madhe për këtë lloj sjelljeje.

Mbi të gjitha, kjo sjellje është një përdorim i paskrupullt i emrave të mëdhenj për qëllime të vogla. Për ta ilustruar këtë po sjell një rast të fundit.

Më 28 dhjetor 2015, në ndarjen vjetore të çmimeve “Bleta e Artë”—një aktivitet krejtësisht qesharak, i cili përgjithësisht lartëson e shpërblen korrupsionin, evazionin dhe grabitjen—në një fjalim akoma më komik se vetë aktiviteti, Kryeministri Rama u shpreh:

“Në epitafin mbi varrin e arkitektit Christopher Wren, i cili dizenjoi një ndër katedralet më të njohura sot në botë, shkruhet: ‘Në qoftë se jeni në kërkim të një monumenti shikoni rreth jush.'”

Citimi i plotë dhe i saktë në epitafin e Christopher Wren, një prej arkitektëve më të mëdhenj të botës—i cili pasi vdiq më 1723, u varros brenda Katedrales së Shën Palit në Londër, një kryevepër botërore e projektuar prej tij—thuhet fjalë për fjalë:

“Këtu në themelet e saj prehet arkitekti i kësaj kishe dhe i qytetit, Christopher Wren, i cili jetoi përtej të nëntëdhjetave, jo për fitimin e tij, por për të mirën publike. Lexues, nëse kërkon monumentin e tij, shiko përreth.”

Kuptimi i citatit, shkruar nga i biri i arkitektit, është i thjeshtë dhe drejtpërdrejtë—vepra më e madhe e Wrenit është katedralja ku edhe u varros vetë, ndaj lexuesit e epitafit ftohen të shohin katedralen veprën më monumentale të krijimtarisë së Wrenit.

Por këtë citim Kryeministri Rama e zhvesh nga fjalia e parë, i heq përemrin “e tij”, e kthen në shumës dhe i jep kështu një kuptim filozofik, krejtësisht ndryshe nga kuptimi i drejtpërdrejt i epitafit.

Pastaj, ai e përdor këtë si bazë për t’u thurur lavde biznesmenëve dhe burokratëve që ka në sallë—fjalia pasuese e citatit në fjalimin e Kryeministrit është: “Monumentet e këtyre 25 viteve në Shqipëri i ka ngritur sipërmarrja.”

Në të vërtetë sipërmarrja shqiptare nuk ka ngritur asnjë monument këto 25 vjet, madje nuk ka ngritur as edhe ndonjë fabrikë për të prodhuar ndonjë gjë. Sipërmarrësit e “monumenteve” të Kryeministrit janë përgjithësisht tregtarë dhe biznesmenë, suksesi i të cilëve qëndron në aftësinë për t’ua hedhur doganave e tatimeve apo për të vjelë kontrata e koncesione shtetërore.

Të lidhësh, sado tërthorazi, Sir Christopher Wren—themelues i Akademisë Angleze, një nga personat e respektuar nga vetë Njutoni, një kollos që ja kushtoi jetën e tij të mirës publike—me biznesmenët, më së shumti injorantë dhe grabitqarë me të cilët rri e përfiton kryeministri, është një gjë që vetëm ai mund ta bëjë.

Kanti pohonte se njeriu nuk mund të ketë njohje të vetvetes ashtu si ajo është, por vetëm ashtu si ai i duket vetes se është.

Është e qartë që Edi Rama i duket Edi Ramës njeri i madh dhe intelektual i thellë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>