Që prej nisjes të prostestës studentore, në fillim të dhjetorit, një nga parimet kryesore të organizatorëve ka qenë “jo politizimit të protestës”, që do të thotë se protesta nuk duhej të kapej apo të përfaqësohej nga përfaqësuesit e klasës politike, pra, protesta duhet të ngrihej përtej sherreve të vogla të politikës shqiptare. Në fakt, në javët e para të saj, në të vërtetë dukej sikur— dhe kjo befasoi shumë njerëz — protesta e studentëve, pa ndonjë udhëheqje të dukshme, arriti të shmangte fundosjen në logjikën e lodhshme të partive politike shqiptare.
Kjo u vu re edhe nga shumëllojshmëria dhe krijimtaria e pankartave të studentëve:
Ditët e gjata të protestave, moti jashtëzakonisht i ftohtë, breshëria e premtimeve të rreme nga Kryeministri Rama dhe mungesa e plotë e çdo lloj mbështetjeje nga bashkësia diplomatike e atrofizuar dhe pa shtyllë kurrizore në Tiranë — e cila në mjedisin e duhur (dmth, në distanca të sigurta) do të duhej të ishte e para që të fliste për “shoqërinë civile” si një nga “prioritetet kryesore” të saj – duket se e ka zbehur fuqinë e studentëve.
Për këtë arsye, fotoja kryesore e këtij artikulli më duket shqetësuese. Fotoja është bërë sot, përpara ambasadës amerikane në Tiranë. Ndoshta për shikuesit e zakonshëm kjo foto nuk është e ndryshme nga shumë të tjera që kanë qarkulluar gjatë javëve të fundit. Megjithatë, kjo foto është shumë ndryshe nga të tjerat për një arsye të veçantë: fontin (llojin e shkrimit) të përdorur në pankarta. Të gjitha pankartat që studentët mbajtën sot në duar janë shtypur në mënyrë profesionale dhe jo të shkruara me dorë. Për më tepër, ato janë të shtypura në një font shumë të veçantë të quajtur Impact.
Lexuesit mund ta njohin këtë font nga përdorimi i tij i shpeshtë, së fundmi, në meme, por përdorimi i tij në politikën shqiptare ka filluar shumë më herët. Fonti Impact është, në fakt, fonti që përdoret më shumë nga klasa politike shqiptare. Ai është përdorur në protesta, njoftime, banderola dhe ngjarje zyrtare, si nga qeveria edhe nga opozita.
Në fakt, prej disa kohësh, unë kam mbajtur një blog modest, i cili dokumenton shfaqjen e këtij fonti në hapësirën publike shqiptare.
Më poshtë po sjell disa foto ilustruese nga një spektër i gjerë politik:
Unë mendoj se shfaqja e pankartave të shtypura me fontin Impact në një protestë nënkupton, gjithmonë, të njëjtën gjë: protesta ka mbështetjen e (një pjese të) forcave politike dhe nuk është më lëvizje apo protestë spontane qytetare, pavarësisht pretendimeve të saj.
Impact-i është fonti i “politizimit”. Impact është fonti që sinjalizon momentin e pashmangshëm kur një çantë parash apo ndonjë favor apo premtim tjetër ka gjetur rrugën drejt duarve të disa prej organizatorëve.
Duke qenë se Impact-i është përdorur si nga qeveria, ashtu dhe nga opozita, është e vështirë të thuhet se cilën parti “përfaqësojnë” pankarat, por ato sigurisht që përfaqësojnë klasën e tanishme politike.
Gjithsesi, në mungesë të një udhëheqësi të fortë, dëmi që kjo kapje politike e qartë, por e pjesshme, mund t’i shkaktojë protestës mbetet i kufizuar. Gjithsesi, një rregull i thjeshtë që mund të përdoret në këto raste është ky: kur një pankartë nuk është pikturuar me dorë apo shtypur në shtëpi, dhe sidomos kur shihni fontin e krijuar nga Geoffrey Lee në vitin 1965, gjasat janë që diku, dikush, ka bërë një marrëveshje.