Listat e kompanive më të mëdha të vendit është plot me firma konçesionare, shpesh të huaja, por aktorët kryesorë ekonomik në vend janë importuesit, në veçanti të naftës, të produkteve ushqimore, elektronike dhe pak të tjerë.
Importuesit më të mëdhenj në vend janë ata që e kanë filluar biznesin në vitet e para e të turbullta të ekonomisë së tregut, kur vendi nuk kishte asgjë për të konsumuar dhe kishte më shumë para se sa mallra. Në ato kohë të hershme, faktorët strategjikë të suksesit ishin:
- qasja te furnizuesit, kryesisht sigurimi i vizave për vendet e ndryshme dhe njohjet jashtë vendit;
- kapital minimal për të paguar ngarkesa mallrash, shpesh i marr me fajde, me interesa shumë të larta;
- aftësia për të kaluar doganën duke paguar vetëm pak nga detyrimet doganore, duke paguar pak për shtetin dhe pak doganierëve nën dorë;
- aftësia për t’u bërë ballë përpjekjeve, shpesh të dhunshme, të konkurrentëve për të të nxjerrë nga tregu.
Dy karakteristikat e fundit garantoheshin, shumë shpesh, përmes metodave të dhunshme apo të paligjshme. Dy të parat buronin, jo rrallë, nga mungesa e skrupujve apo përvoja e mëparshme tregtare fituar gjatë komunizmit, veçanërisht në tregtinë e jashtme, në transportin ndërkombëtar, nëpër ambasada, apo në aktivitete private ekonomike që kryheshin në fshehtësi.
Sido që të ketë qenë niveli etik apo moral i tyre, shumë nga këta tregtarë mundën të ndërtonin një kapital të madh—modeli i tyre biznesit i përshtatej shumë mjedisit të vendit, që, në fakt, deri diku ata kishin ndihmuar për t’i dhënë formë.
Nëse tregu kërkonte, ata importonin dhe shisnin; nëse tregu lëngonte, ata ndalonin. Në një mënyrë apo tjetrën, ata kërkonin ekskluzivitete jashtë vendit dhe impononin, me metoda aspak të hijshme, ekskluzivitetin brenda tij.
Me kalimin e viteve, këta kampionë të kapitalizmit të egër, filluan të investonin në ndonjë aktivitet prodhues—shpesh duke gjuajtur situata monopolistike apo koncesionare—ose në ndërtim dhe zhvillimin e pasurive të paluajtshme, por gjithmonë me paratë e të tjerëve.
Në këtë mënyrë, fuqia e tyre erdhi duke u rritur—nga përkujdesja për të mbajtur marrëdhënie të mira me funksionarët e doganave ata filluan të “ngjisnin” shkallët e pushtetit, gjithmonë për të garantuar ato faktorë që u kishin siguruar suksesin. Një pjesë e tyre më vonë vendosi të përfshihej direkt në politikë dhe sot, biznesmenët, përbëjnë një nga grupet më më të madha në parlament.
Gradualisht por në mënyrë të sigurtë, tregtarët e fuqishëm arritën të kenë kontroll të madh mbi politikat qeveritare—politikat publike e ndryshuan qëllimin e tyre nga interesi publik tek interesat e grupeve apo individëve të caktuar të biznesit.
Vitet e fundit kemi parë operacione gjithmonë e më të papërgjegjshme në favor të grupeve private, siç ishte ulja e niveleve të proteinës në miell, ulja e akcisës për pijet energjike, heqja e tarifave doganore për veshjet me origjinë jo nga vendet e Bashkimit Europian, uljen e akcisës vetëm mbi birrën e importuar dhe operacione të tjera që dëmtojnë zhvillimit e sektorit të prodhimit vendas në favor të importuesve.
Problemi i vërtet për ekonominë dhe politikën është se importuesit kanë patur gjithmonë një pozicion parazitar në ekonomi—kanë shitur me çmime të larta mallra të dorës së dytë, të blera me çmime shumë të ulta, duke rënduar dhe duke penguar prodhimin vendas, thuajse gjithmonë jo konkurues, për shkak të tregut shumë të vogël.
Një vend me bilanc tregtar kaq negativ—defiçiti tregtar është, më shumë se dy miliard euro në vit, gati sa një e treta e GDP-së—duhet të gjejë një mënyrë për të zëvendësuar apo çkurajuar importet në mënyrë që të nxisë një riekuilibrim të bilancit tregtar.
Kufizimi i importeve mund të realizohet, për shembull, me çertifikata të lëshuara nga dogana për çdo sasi të eksportuar dhe paguar rregullisht, në mënyrë që këto çertifikata të kërkohen nga dogana dhe të anullohen në rastin e importimit të mallrave, me një fare proporcioni me vlerën e importuar.
Në këtë rast eksportuesi mund të shesë çertifikatat e mara në një treg dytësor ku mund të furnizoheshin importuesit për të kryer importimet e tyre. Ndërkohë shteti mund të lëshojë pjesën tjetër të çertifikatave që mungojnë derisa të përcaktohet kuota e defiçitit tregtar të dëshiruar, duke i shitur në tregun dytësor dhe duke arkëtuar kështu të ardhura të konsiderueshme.
Kostoja e këtij operacioni do të dekurajonte importimet, duke shtrirë efektet e saj kryesisht mbi mallrat e zëvendësueshme nga produktet vendase dhe të nxisë eksportet, të penalizuar sot me të padrejtë nga mekanizmi i rimbursimit të TVSH-së.
Gjithashtu, duke patur parasysh veçoritë e biznesmenëve vendas, shumë importues të mëdhenj do të përfundonin duke i orientuar investimet e tyre në aktivitete me orientim nga eksporti, duke venë në punë lidhje dhe aftësi që sot nuk përdoren. Mjafton të mendojmë për importuesit e ushqimeve, kontaktet që ata kanë për të lehtësuar vendosjen e prodhimit bujqësor në tregjet e prokurimit, apo në linjat e shpërndarjeve të organizuara të cilat mund t’u mundësonin perime kompanive mëma.