Këshilli Bashkiak i kryeqytetit të Zimbabves, Harare ka vendosur të anulojë kontratën për ndërtimin e incenetatorit të mbetjeve me kompaninë guackë Integrated Energy BV, e lidhur me sipërmarrësin shqiptar Klodian Zoto.
Pas raportimeve se kompaniva guaskë Integrated Energy BV kishte marrë në mënyrë të paligjshme një memorandum mirëkuptimi me Këshillin Bashkiak të Harares, dhe pas kërcënimeve të kompanisë për të paditur një gazetë lokale me 500 milionë dollarë gjobë, Këshilli ka vendosur të anullojë marrëveshjen.
Sipas gazetarit Andrew Kunambura nga gazeta Zimbabwe Independent:
‘Këshilltarët ishin të shqetësuar për profilin e dobët të kompanisë pas kontrolleve të tyre për të shkuarën e saj, gjë që ngriti dyshime rreth kapacitetit të saj për të ndërmarrë një projekt të asaj madhësie. Këshilltarët ishin veçanërisht të shqetësuar për faktin se IEBV ka ndërmarrë vetëm një projekt të ngjashëm në Shqipëri në vitin 2017, pasi fitoi një tender të dyshimtë.’
Këshillit të Qytetit të Harare-s iu tërhoq më shumë vëmendja për rrezikun e kësaj marrëveshjeje, pasi Integrated Energy BV kërkoi të ‘milionë dollar’ parapagesë, para se të fillonte puna për ndërtimin e inceneratorit. Sekretari i këshillit, Hosia Chisago deklaroi:
‘Ajo që ndodhi më pas është që, ndërsa negociatat vazhduan, kuptuam se ajo që kompania kishte premtuar nuk ishte ajo që ne donim. Kur na u afruan fillimisht, ata treguan se ishin gati të plotësonin kërkesat tona. Ne u kishim treguar atyre qartë se ne donim që ata të ndërtonin dhe financonin inceneratorin, ta menaxhonin atë për 30 vjet dhe më pas t’ia transferonin atë këshillit të qytetit. Por më pas, mësuam se ne duhej të paguheshin një shumë parash paraprakisht dhe ne nuk mund të pajtohemi me atë rregullim.’
Ndërsa Këshilli i Qytetit të Harares ka vendosur të mos humbë paratë publike për ndërtimin e një inceneratori nga një kompani pa asnjë të dhënë publike, qeveria shqiptare ka nënshkruar jo pak, por tri kontrata partneriteti publike-private me Integrated Energy BV dhe kompania e saj motër Integrated Technology Solutions, të gjitha të lidhura me biznesmenin shqiptar Klodian Zoto.
Tre koncesionet për incineratorët e Fierit, Elbasanit dhe Tiranës do të kushtojnë rreth 236 milionë euro. Kontrata për incineratorin e Elbasanit ka afat 7-vjeçar, do të kushtojë 28 milionë euro dhe do të ndërtohet nga Albtek Energy. Kontrata për incineratorin e Fierit ka afat 6-vjeçar, do të kushtojë 28 milionë euro nga shteti dhe do të ndërtohet nga Integrated Technology Waste Treatment Fier, ndërsa koncesioni për incineratorin e Tiranës do të zgjasë 30-vjet, do të kushtojë 180 milionë eurosh dhe do të ndërtohet dhe menaxhohet nga Integrated Energy BV shpk.
Megjithëse kanë kaluar disa vite nga nënshkrimi i kontratave, asnjëri prej këtyre incineratorëve nuk është ndërtuar.