Indeksi i Baselit – Shqipëria ndër 4 shtetet më të rrezikuara në Europë nga pastrimi i parave të pista

Indeksi i Baselit – Shqipëria ndër 4 shtetet më të rrezikuara në Europë nga pastrimi i parave të pista

Shqipëria është një prej katër vendeve më të rrezikuara nga pastrimi i parave të pista në Europë.

Indeksi i Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, publikuar nga Instituti i Baselit,  e rendit Shqipërinë të katërtën në Europë dhe të 39-n në gjithë botën për rrezikun ndaj pastrimit të parave të krimit.

Shqipëria është vlerësuar me 6 pikë në një shkallë nga 0 (risk i ulët) deri në 10 (risk i lartë). Vendi ynë renditet mbi mesataren e botërore të nivelit të riskut që paraqet një vend për pastrimin e parave të pista – 5.39 pikë.

Krahasuar me një vit më parë, rreziku që në Shqipëri të pastrohen para të pista është rritur me 0,43 pikë. Po ashtu, Shqipëria është vendi i gjashtë në botë për përkeqësimin më të madh të gjendjes së pastrimit të parave.

Në Europë shtetet me rrezikun më të lartë janë Serbia, Turqia, Ukraina dhe Shqipëria; ndërsa shtetet më pak të rrezikuara janë Estonia, Finlanda dhe Maqedonia.

Në nivel botëror, Estonia, Finlanda dhe Zelanda e Re janë shtetet më pak të rrezikuara nga pastrimi i parave, ndërsa më të rrezikuarat janë Mozambiku, Laosi dhe Mianmari.

Indeksi i Institutit të Baselit për pastrimin e parave mat rrezikun e pastrimit të parave dhe financimin e vendeve terroriste bazuar në burimet publike të një vendi.

Indeksi mat 15 tregues si kuadri ligjor për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, korrupsioni, standarti financiar, transparenca politike dhe zbatimi i ligjit.

Duke qënë se nuk ka të dhënat kuantitative, Indeksi i Baselit nuk mat eksistencën aktuale të aktivitetit të pastrimit të parave ose sasinë e parave të pista të ndodhura në vend, por tregon vetëm nivelin e rrezikut ose dobësinë e një vendi për të shërbyer si vend për pastrimin e parave të pista dhe financimin e terrorizmit.

Për këtë rrezik ndaj ekonomisë shqiptare reagoi dhe ish-deputeti demokrat Agron Shehaj. Me anë të një postimi në Facebook, Zoti Shehaj u shpreh:

“Pastrimi masiv i parasë së krimit në Shqipëri tashmë po reflektohet në të gjitha raportet ndërkombëtare për Shqipërinë.

Pastrimi i parave, përvecse po dobëson shumë Euron dhe po shkatërron investimet e huaja, eksportet dhe turizmin, tashmë është kthyer në problem të rëndësishëm për besueshmërinë e Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare ekonomike dhe imazhin tregtar të vendit. 
Kjo gjë po vështirëson më tej tregtinë dhe shkëmbimet me jashtë, përfshi eksportet, pasi për transaksionet me Shqipërinë tashmë zbatohen mbikqyrje dhe inspektime të rrepta dhe madje arbitrare duke krijuar kosto dhe barriera shtesë.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>