Demokracia globale ka pasur një vit shumë të keq pasi pandemia shkaktoi kufizim të lirive demokratike, sipas Indeksit të Demokracisë Globale 2020 të hartuar nga The Economist.
Sondazhi vjetor vlerëson gjendjen e demokracisë në të 167 vende, bazuar në procesin zgjedhor, pluralizmin, funksionimin e qeverisë, pjesëmarrjen politike, kulturën politike demokratike dhe liritë civile. Indeksi i këtij viti zbuloi se vetëm 8.4% e popullsisë globale jeton në një demokraci të plotë ndërsa një e treta e popullsisë së botës ose 2.54 miliardë, jetojnë nën regjime autoritare.
Rezultati global me pikëzim 0 -më pak demokratik dhe 10-shumë demokratik, ra në 5.37 pikë, niveli më i ulët i regjistruar që nga fillimi i indeksit në 2006.
Çështjet që ndikuan në rezultatin e ulët gjatë 2020 përfshinë karantinën e detyrueshme nga qeveria dhe masat kufizuese, të cilat çuan në një kufizim të konsiderueshëm të lirive civile. Ndërsa shumë pranuan se humbja e përkohshme e lirisë ishte e nevojshme për të kontrolluar përhapjen e virusit, renditja penalizoi ata që nuk lejonin kontrollin ndaj pushtetit ose cenonin lirinë e shprehjes. Kjo bëri që vendet si Franca, të binin në kategorinë e “demokracisë së brishtë”.
Shqipëria u përmirësua gjatë 2020, duke kaluar nga një “regjim hibrid” në një “demokraci të brishtë”. Rezultati i përgjithshëm ishte 6.08, më e lartë se mesatarja globale dhe u rendit në vendin e 71.
Fatkeqësisht, vendi u përkeqësua dhe ishte nën mesataren globale për funksionimin e qeverisë dhe pjesëmarrjen politike. Në lidhje me liritë civile Shqipëria mori 7.35 pikë.
Rezultati i vendit mori 0.19 pikë më shumë se 5.89 një vit më parë. Rezultati më i ulët ndonjëherë është shënuar në 2012, 2013 dhe 2014 kur Shqipëria shënoi vetëm 5.67 pikë.
Në rajon, Shqipëria qëndron poshtë Serbisë dhe Hungarisë. Të dyja vendet kishin probleme serioze me proceset demokratike gjatë pandemisë COVID-19. Ajo u rendit më lartë se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
The Economist shkruan se rritja e rezultatit të Shqipërisë u nxit nga një numër reformash elektorale por mbetet e paqartë nëse ato do të rezultojnë në zgjedhje të lira ose të ndershme.
Vend i parë në këtë renditje i takon Norvegjisë me 9.81, ndjekur nga Islanda me 9.37 dhe Suedia me 9.26.
Vendi i fundit i takon Koresë së Veriut me 1.08, Republikës së Kongos me 1.13 dhe Republikës së Afrikës Qendrore me 1.32.