Qeveria indiane ka vendosur shembjen e dy komplekseve luksoze apartamentesh, të cilat u ndërtuan në kundërshtim me rregullat mjedisore.
Vendimi për shembjen e komplekseve ndërtuar buzë liqenit në Kerala u mor nga Gjykata Supreme indiane, pasi autoritetet zbuluan se ato ishin ndërtuar në kundërshtim me rregullat që mbronin zonat bregdetare.
Autoriteti i Menaxhimit të Zonës Bregdetare në Kerala (KCZMA), i cili është ngritur për të parandaluar degradimin e zonave bregdetare dhe detare, zbuloi se leja për komplekset luksoze ishte dhënë nga zyrtarët lokalë pa miratimin e saj.
Zona ku janë bërë ndërtimet ishte një zonë me ndjeshmëri të lartë ku nuk lejohej më ndërtimi.
Gjykata Supreme vendosi se KCZMA kishte të drejtë dhe urdhëroi shembjen e ndërtesave.
Gjykata tha që ndërtuesit ishin duke shkelur rregullat e ndërtimit dhe e quajti ndërtimin e paligjshëm në atë zonë “humbje kolosale” për mjedisin.
Ajo gjithashtu iu referua përmbytjeve shkatërruese në Kerala në vitin 2018 dhe tha se ato ishin rezultat i “mjedisit që po degradohet dhe zonave bregdetare që po okupohen në mënyrë të paligjshme”.
Në total, rreth 343 banesa – ku banonin rreth 2 mijë qytetarë – do të shkatërrohen këtë fundjavë. Kulla e parë u shkatërrua sot. Ky aksion është përshkruar në median indiane si një nga vendimet me shkatërrimet më të shumta të banesave në Indi.
Qeveria indiane do të paguajë si “kompensim të përkohshëm” rreth 35 mijë dollarë për banorët e prekur, sipas raporteve të mediave lokale.
Në Shqipëri dhënia e lejeve të ndërtimit pa kriter në zonat bregdetare, si dhe ndërtimet informale, shkaktuan dhjetra viktima dhe shkatërruan mijëra banesa, në tërmetin e 26 nëntorit.