India shënon mbi 4 mijë viktima nga COVID për të dytën ditë radhazi

Nga Exit News
India shënon mbi 4 mijë viktima nga COVID për të dytën ditë radhazi

India ka regjistruar mbi 4 mijë viktima nga COVID-19 për të dytën ditë radhazi ndërsa thirrjet ndaj qeverisë për një mbyllje të gjithë vendit për të frenuar përhapjen sa vijnë e shtohen.

Ministria e Shëndetësisë e Indisë raportoi 4092 viktima gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 242 362. Rastet e reja u rritën me 403 738, duke rritur totalin që nga fillimi i pandemisë në 22.3 milionë.

India është goditur rëndë nga një valë e dytë e COVID-19. Vendi ka vuajtur mungesë të oksigjenit për pacientët e sëmurë dhe të shtretërve në spitale. Morgjet dhe krematoriumet kanë qenë të tejmbushura gjatë kësaj periudhe. Ekspertët kanë thënë që numrat aktualë të rasteve dhe vdekjeve me COVID-19 mund të jenë shumë më të larta, raporton Reuters.

Shumë shtete indiane kanë vendosur masa të rrepta gjatë muajit të kaluar për të ndaluar rritjen e infeksioneve ndërsa të tjerë kanë njoftuar kufizime në lëvizjen publike dhe kanë mbyllur kinematë, restorantet, lokalet dhe qendrat tregtare.

Presioni është në rritje ndaj Kryeministrit Narendra Modi për të njoftuar një mbyllje mbarëkombëtare të ngjashme me atë të vendosur gjatë valës së parë të COVID vitin e kaluar.

Instituti për Matjet dhe Vlerësimin e Shëndetit vlerëson se India do të ketë 1 milion vdekje nga COVID-19 deri në gusht.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>