Informacione mbi shtetasit turq që jetojnë në Shqipëri u përpiluan dhe u dërguan në Ankara për t’u përdorur në çështjet gjyqësore, sipas dokumenteve të botuara nga Nordic Monitor, një grup gazetarësh dhe ish-specialistësh të sigurisë.
Dokumentet e botuara në faqe tregojnë informacione mbi persona e përfshirë si mësuesit, përfaqësuesit e shoqatave lokale, pronarët e bizneseve, gazetarët dhe anëtarët e familjes së tyre që jetonin në Shqipëri. Informacioni është redaktuar (mbuluar me të zeze) për të mbrojtur identitetin e tyre.
Mendohet se ky informacion u mblodh nga Ambasada Turke në Tiranë dhe më pas u përdor në një numër akuzash penale për terrorizëm nga prokurori turk Ademi Akinci.
Platforma u krijua nga gazetari turk Abdullah Bozkurt, i cili ishte shefi i gazetës turke Today’s Zaman. Ai u arratis nga Turqia pas grushtit të shtetit të dështuar të vitit 2016. Ai kwrkohet nga Turqia pasi autoritetet pretendojnë se ai është anëtar i lëvizjes Guleniste. Akuza mbi lëvizjen Guleniste përmenden rregullisht nga qeveria për disidentët, gazetarët dhe kritikët e Erdoganit.
Në dhjetor 2019, Zyra e Kryeprokurorit të Ankarasë nisi një hetim (dosja nr. 2018/43629) për 61 individë të cilët ishin pjesë e dosjeve të përpiluara nga diplomatët turq në Tiranë.
Ata u akuzuan më pas si anëtarë të një grupi terrorist, Gulen.
Vetëm Turqia, Pakistani dhe Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit e konsiderojnë Lëvizjen Gulen si një organizatë terroriste.
Në vitin 2020, Ministri i Jashtëm turk Melvut Cavusoglu u tha gazetarëve se mbledhja e informacioneve është detyrë e diplomatëve.
“Të gjithë po bëjnë atë që duan [në vendet e tjera]. Mbledhja e informacioneve është detyrë e diplomatëve. Mbledhja e informacionit është një fakt. E rëndësishme është që ata të kryejnë aktivitetet e tyre në përputhje me Konventën e Vjenës dhe të jenë transparentë”.