Inspektoriati i Punës, kompania Albchrome nuk ka penguar veprimtarinë e Sindikatës

Nga Exit News
Inspektoriati i Punës, kompania Albchrome nuk ka penguar veprimtarinë e Sindikatës

Gazetari Sami Curri raportoi për BIRN se Inspektoriati, pas një hetimi disa javor, doli në përfundimin se kompania AlbChrome nuk ka shkelur apo ndërhyrë në veprimtarinë sindikale të Sindikatës se Minatorëve. Kompania nuk ka pasur dijeni për themelimin e Sindikatës, ajo nuk ishte njoftuar me shkresë për themelimin e saj.

Raporti u përshëndet nga kompania Albchrome dhe Federata Sindikale e Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë (FSPISH). Kjo e fundit tha se sipas raportit protesta e minatorëve ishte e paligjshme, pavarësisht se Prokuroria e Dibrës, i cilësoi ato të ligjshme.

Sindikata e Minatorëve e akuzoi Inpektoriatin për hetim të cekët, njëanshmëri dhe për citim të fakteve të rreme, kryesisht sa i përket kohës kur kompania ishte njoftuar për krijimin e sindikatës së re.

Exit News ka shpjeguar më parë përplasjet e muajve të fundit mes minatorëve dhe Albchrome në Bulqizë (lexo këtu).

Përplasjet nisën pas krijimit të sindikatës së re SMBB dhe largimit nga puna të 4 themeluesve të saj. Sindikata e re u konfliktua me sindikatat ekzistuese FSPISH dhe Konfederata Sindakale, të cilat pretendojnë se kushtet dhe pagat në miniera janë përmirësuar duke vënë në dyshim synimet dhe mënyrat se si po vepron sindikata e re.

Inspektoriati i Punës njoftoi fillimin e hetimeve për këto shkarkime dhe në fund të dhjetorit doli me raportin që shfajëson kompaninë.

Roland Kurti, drejtues i Inspektoriatit të Punës në Dibër, i tha BIRN-it se “kompania duhej të ishte informuar menjëherë për sindikatën, sipas rregullave të përcaktuara në Kodin e Punës”.

SMBB u njoh ligjërisht më 15 tetor 2019 nga Gjykata e Tiranës. Ajo pretendon se ka edhe numrin më të madh të anëtarëve. Albchrome nga ana e saj pretendon se ka marrë dijeni për krijimin e sindikatës vetëm më 16 dhjetor, disa javë pasi kishte shkarkuar drejtuesin dhe 3 anëtarë të SMBB-së.

SMBB e ka kundërshtuar këtë fakt duke pretenduar se i kishte dërguar shkresa zyrtare kompanisë që më 24 nëntor.

Gazetari Curri thotë se Inspektoriati ka analizuar vetëm shkarkimin për rastin e Elton Debreshit, kryetar i SMBB-së. Ky raportohet se ka nënshkruar procesverbal ku “pranonte pak a shumë gjetjet e kompanisë”.

Inspektoriati thotë se nënshkrimi i procesverbalit në fjalë, ku pranohen mungesa për të cilat nuk ishin paraqitur raporte mjekësore, i jepte të drejtë kompanisë për të zgjidhur kontratën.


Marrë me shkurtime nga Reporter.al

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>