Interesi publik për cilësinë e maturës shtetërore

Nga Prof.Dr. Nikoleta Mita
Interesi publik për cilësinë e maturës shtetërore

Prej një jave vazhdon një debat i nxehtë për cilësinë e provimit të gjuhës dhe letërsisë të maturës shtetërore. Dy çështjet kryesore rreth të cilit është përqendruar debati janë: e drejta e maturantëve për të protestuar për cilësinë në arsim dhe cilësia e përmbajtjes së testit.

Maturantët protestojnë për të shprehur mospajtimin me cilësinë e dobët të testit i cili ndikon në përzgjedhjen e arsimimit të tyre të mëtejshëm.

Profesorë të universiteteve, studiues dhe njerëz të letrave shqipe janë përfshirë në debat dhe kanë bërë analiza të hollësishme të pyetjeve të paketës së testit.

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Qendra e Shërbimeve Arsimore, si institucion në vartësi të kësaj ministrie, reaguan duke e politizuar çështjen, përjashtuan nga procesi i rivlerësimit të cilësisë së testit ekspertë dhe të interesuar të tjerë.

Po ashtu, MASR dhe QSHA ndërmorën një pozicion mbrojtës, paraqitën deklarata të pambështetura me evidencë, ndërmorën një proces vetëvlerësimi aspak transparent dhe arritën në përfundimin se testi nuk kishte gabime shkencore.

QSHA vendosi të vlerësojë shpërndarjen e pikëve në bazë të rezultateve të nxënësve, si dhe të konsiderojë heqjen nga vlerësimi përfundimtar i ndonjë pyetjeje specifike që rezulton të ketë pasur nivel më të lartë vështirësie sesa niveli i njohurive të nxënësve.

Nëse do të analizojmë këtë situatë, atëherë do të arrijmë në përfundimin se ka një interesim të madh publik për cilësinë në arsim dhe një menaxhim aspak profesional të problemit aktual nga MASR dhe QSHA.

Së pari, e drejta për cilësi në arsim është një e drejtë e sanksionuar me ligj, si në legjislacionin ndërkombëtar dhe në legjislacionin vendas. Legjislacioni përcakton përgjegjësi të instiucioneve arsimore qëndrore, vendore dhe shkollave për të ofruar dhe siguruar një arsim cilësor, për të dhënë llogari për cilësinë e arsimit, por edhe të drejta të përfituesve dhe të të interesuarve për të kërkuar një arsim cilësor. Këto të drejta nuk mund të mohohen, nuk duhet të shkelen, por duhet të ushtrohen.

Së dyti, maturantët janë të interesuarit e parë për cilësinë e arsimit, pasi ata janë përfituesit e drejtpërdrejtë të arsimit. Provimet e maturës shtetërore kanë rëndësi të madhe për maturantët, pasi rezultatet e provimeve kanë peshë të rëndësishme në përllogaritjen e pikëve për pranimin në arsimin e lartë.

Maturantët reaguan menjëherë, sepse zbuluan se testi i gjuhës dhe letërsisë shqipe nuk ishte cilësor. Ata reaguan fort, sepse cilësia e dobët e testit ndikonte negativisht rezultatet e pritshme të tyre. Ata reaguan fuqishëm, sepse cilësia e dobët e testit ndikonte dukshëm projektin e tyre të të ardhmes, pengonte realizimin e ëndrrës së tyre.

Një pikë ose më pak se një pikë i jep ose nuk i jep mundësi një maturanti të fitojë të drejtën për të ndjekur studimet e larta në fushën që dëshiron. Pra, e drejta për të protestuar për cilësinë e testit të provimit të maturës shtetërore është një e drejtë e qenësishme e çdo maturanti.

Historikisht, nxënësit kanë qenë të fundit që u është kërkuar mendim për efektivitetin e shkollës, se kjo gjë është parë si një biznes me rrezik pasi nxënësit, zakonisht, kanë të drejtë dhe janë kritikë të sinqertë.

Ajo që kemi mësuar gjatë dekadës së fundit është se nxënësit nuk janë thjesht konsumatorë të asaj që shkollat dhe mësuesit vendosin para tyre, por ndajnë një përgjegjësi në ndërtimin e të mësuarit të tyre dhe të bashkëmoshatarëve të tyre dhe mund të luajnë një rol të rëndësishëm në bërjen e shkollave të tyre vende më të mira jo vetëm për veten dhe shokët e tyre të klasës, por edhe për mësuesit e tyre. Kur zëri i nxënësve dëgjohet dhe kur çlirohet energjia e bllokuar, kur ata bëhen pjesë e procesit të sigurimit të cilësisë, cilësia vetëm përmirësohet.

Proceset e vlerësimit të cilësisë së arsimit përfshijnë edhe të interesuarit e tjerë si: mësuesit, prindërit, ekspertët e disiplinave të zhvillohen provim, ekspertët e pedagogjisë dhe të vlerësimit, përfaqësues të arsimit të lartë, studiues, agjenci e shoqata që kanë objekt të veprimtarisë arsimin dhe përfaqësues të botës së punës.

Si duhet të vepronin MASR dhe QSHA, ndërsa këto institucione u vetëmbrojtën, u hodhën në sulm, deklaruan se bënë një vetëvlerësim të shpejtë dhe se do të rishpërndajnë pikët duke ulur pragun e pikëve të testit.

Së pari, MASR dhe QSHA duhet të kërkonin një evidencë për cilësinë e testit nga vlerësues të pavarur. Vlerësimi i pavarur është mënyra e vetme e sigurt për të garantuar se një test shtetëror përmbush plotësisht, pjesërisht ose nuk i përmbush standardet shtetërore të cilësisë lidhur me atë që nxënësit duhet të dinë dhe të jenë në gjendje të bëjnë.

Së dyti, MASR dhe QSHA duhet t’i kërkonin njërit nga universitetet me kontribut më të madh në fushën e gjuhës, letërsisë, komunikimit, pedagogjisë dhe psikologjisë dhe profesorëve më të spikatur të fushës së gjuhës, të letërsisë, të pedagogjisë dhe të vlerësimit në vend që të shqyrtonin cilësinë e testit.

Departamentet universitare të gjuhës dhe të letërsisë janë në gjendje të vlerësojnë cilësinë e testit dhe të përcaktojnë nëse kompetencat që testi mat përputhen me kërkesat e tyre për cilësinë e studentëve që presin dhe nëse testi ka vlerë.

Departamentet e pedagogjise dhe të psikologjisë janë departamentet që mund të bëjnë analiza profesionale të cilësisë së ndërtimit të testit dhe analiza psikometrike për cilësinë e testit. Profesorët më në zë të fushës së gjuhësisë, letërsisë, të pedagogjisë dhe të vlerësimit duhet të ftoheshin të vlerësonin dhe të përcaktonin vlefshmërinë, vështirësinë, besueshmërinë dhe diskriminimin e testit.

Së treti, MASR dhe QSHA duhet të angazhonin mësuesit më të shkëlqyer të fushës në një forum që të vlerësonin cilësinë e testit. Mësuesit e mirë i dinë karakteristikat e një vlerësimi të mirë.

Vlerësimet për cilësinë e testeve duhet të bëheshin publike.

Në mungesë të këtyre veprimeve nga MASR dhe QSHA, shumë pedagogë, mësues dhe njerëz të letrave shqipe kanë bërë analiza të pavarura, profesionale dhe tepër kritike, të cilat duhet të merreshin në konsideratë gjatë menaxhimit të problemit. Por kjo nuk ka ndodhur.

Nuk është vonë që MASR të ndryshojë qasjen për menaxhimin e problemit dhe të zgjidhë çështjen bazuar në evidenca dhe analiza profesionale të pavarura.

Nisur nga ky rast, është e domosdoshme të krijohen dhe të funksionojnë organizma që të japin mendim të pavarur profesional për cilësinë në arsim. Mendimi i pavarur krijon garanci për cilësinë e testeve dhe provimeve dhe për të fituar besim për trajtim të paanshëm të problemeve.


Prof.Dr. Nikoleta Mita është eksperte në fushën e vlerësimit arsimor dhe psikologjik.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>