Interkonjeksioni Shqipëri-Kosovë është i bllokuar nga Serbia

Nga Gjergj Erebara
Interkonjeksioni Shqipëri-Kosovë është i bllokuar nga Serbia

Qeveria shqiptare njoftoi sot (14 tetor) se është ankuar në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë ndaj Serbisë për shkak të bllokimit të vënies në punë të linjës më të re ndërkombëtare të interkonjeksionit, asaj mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Linja 245 kilometra e gjatë që i kushtoi Shqipërisë dhe Kosovës 75 milionë euro dhe që kërkoi shtatë vjet përpjekje për t’u ndërtuar, u inagurua disa muaj më parë, por pavarësisht kësaj, në të nuk ka kaluar energji.

“Gjatë punimeve të Këshillit, përfaqësuesit e Shqipërisë dhe Kosovës ngritën shqetësimin e ngërçit të krijuar nga Serbia për futjen në punë të linjës së interkonjeksionit mes dy vendeve, tashmë e përfunduar dhe inauguruar,” deklaroi Ministria shqiptare e Energjisë dhe Industrisë sot.

” Që të bëhet i mundur operimi i kësaj linjë duhet që sistemi i transmetimit të Kosovës (KOSTT) të njihet nga ENSO-E, rrjeti evropian i transmetimit. Pra, të njihet ndarja e sistemit të transmetimit të Kosovës nga sistemi i transmetimit të Serbisë, çka është dhe pjesë e bisedimeve në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit,” vijon më tej deklarata.

Veçmas, sekretariati i Komunitetit të Energjisë deklaroi se Këshilli i Ministrave e ka pranuar thyerjen e marrëveshjes nga ana e Serbisë, ndërsa masat që pritet të ndërmerren për ta detyruar Serbinë të hapë tregun mbeten të paqarta për momentin.

Serbisë i është kërkuar ta zgjidhë këtë çështje brenda 31 dhjetorit të këtij viti.

Mosmarrëveshja u shqyrtua nga Këshilli i Ministrave të vendeve anëtare të Komunitetit të Energjisë, i cili u zhvillua së fundmi në Sarajevë të Bosnjës. Komuniteti i Energjisë është një organizatë ndërkombëtare e krijuar nga Traktati i Athinës dhe që bashkon vendet e Ballkanit dhe të Detit të Zi me vendet e Bashkimit Europian. Synimi final i Traktatit të Athinës konsiston në krijimin e një tregu energjetik të përbashkët, efektivisht bashkimin e tregjeve të vjetra të Ballkanit dhe integrimin e këtyre tregjeve në Bashkimin Europian.

Sipas Ministrisë së Energjisë së Shqipërisë, në samitin e Sarajevës, të gjitha vendet e Ballkanit si dhe Ukraina, votuan kundër Serbisë në çështjen e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë.

Interkonjeksioni mes dy vendeve shqipfolëse supozohet se do të sjellë përfitime ekonomike të konsiderueshme për të dyja vendet, nëse mekanizmat e duhura të shkëmbimit energjetik do të funksionojnë siç duhet. Sipas logjikës së interkonjeksionit, Shqipëria do të ketë mundësi të importojë energji nga Kosova për të mbuluar një pjesë të konsumit bazë dhe do ta kompensojë Kosovën duke dhënë energji për të mbuluar konsumin në orët e pikut. Skema mundëson që të reduktohet disbalanca energjetike aktuale e Kosovës si dhe të rritet eficenca e përdorimit të hidrocentraleve të Shqipërisë duke sjellë përfitime ekonomike në rendin e miliona eurove në vit.

Pengesat për funksionimin e interkonjeksionit janë të shumta, përfshirë presionin që vjen nga interesat komerciale të tregtarëve të energjisë.

Megjithëse Traktati i Athinës ka kërkuar që linjat e interkonjeksionit në Ballkan të jenë të hapura, përgjatë viteve, Serbia ka arritur të shfrytëzojë pozicionin e saj si qendra e rrjetit të vjetët të ish-Jugosllavisë për të përfituar nga shkëmbimet ndërkufitare të energjisë. Aktualisht, linjat e tensionit të lartë të Kosovës vijojnë të jenë të kontrolluara teknikisht nga Serbia.

Botuar më parë në Reporter.al 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>