Këtë javë, qeveria shqiptare miratoi dy ligje që në thelb mund të vendosin nën kontroll shtetëror mediat-online. Pavarësisht kritikave të ashpra nga gazetarët vendas, organizatat e mediave lokale dhe ndërkombëtare, organizatat e të drejtave të njeriut dhe organizatat politike, shumica socialiste votoi pro projektligjeve. Kryeministri Edi Rama u shpreh në Twitter se ndryshimet ishi “dakordësuar 100 përqind” nga zyra e Harlem Desir, Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias.
Kjo nuk është e vërtetë.
Në një intervistë ekskluzive për Exit News, Zoti Desir sqaroi qëndrimin e tij dhe deklaroi se ka ende punë dhe përmirësime për t’u bërë. Në asnjë moment nuk i dha 100 përqind mbështetje ligjit dhe ai i tha Exit-it se zyra e tij do të monitorojë nga afër zbatimin e ligjeve dhe se ajo do të punojë me qeverinë për të përmirësuar më tej dispozitat ligjore.
Kryeministri Edi Rama pretendoi se ligjet e “paketës anti-shpifjes” që u miratuan në parlament u aprovuan 100% nga ju, a është e vërtetë?
Siç mund ta kuptoni nga deklarata ime e 17 dhjetorit, unë qartë tregova se versioni i fundit i projektligjeve kishte permirësime në krahasim me ato të mëparshmet, por duhet akoma punë, veçanërisht për nivelin e gjobave. Unë shtova se zbatimi i ligjit nuk duhet të pengojë në asnjë mënyrë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave, dhe që Zyra ime (OSBE-ja) do ta monitorojë nga afër.
Jam 100% i gatshëm të punoj me shoqërinë civile dhe qeverinë për të vazhduar përmirësimin e ligjeve, të zgjidh të gjitha çështjet e mbetura dhe në këtë çështje nuk do të kursej asnjë përpjekje.
A keni akoma shqetësime për ligjet e miratuar dhe a mendoni se ato paraqesin ende rrezik për lirinë e mediave në Shqipëri?
Po, ka ende shqetësime.
Gjatë gjithë vitit, ekspertët tanë juridikë kanë adresuar problemet dhe kanë formuluar rekomandime për të ndryshuar ligjet. Kishte shumë çështje shqetësuese për ne: këto përfshijnë regjistrimin e detyrueshëm të mediave online; dhe propozimin për t’i dhënë AMA-ës pushtet të gjerë për të pezulluar ose bllokuar qasjen në faqet e internetit dhe mediat elektronike, në bazë të formulimeve të paqarta, të tilla si “morali publik” ose “dinjiteti” i një personi që cenohet nga një botim.
Ligji gjithashtu i imponon mediave një detyrim për të botuar në një mënyrë “realiste, të paanshme dhe objektive”, dhe AMA do të mund ta kontrollonte këtë. AMA gjithashtu do të mund të merrte kompetencat e një gjykate në çështjet e shpifjes, duke pasur fuqinë për të imponuar një “formulë ndjese” për mediat online. AKEP do të merrte kompetenca në lidhje me përmbajtjen e botimeve të mediave elektronike.
E gjitha kjo nuk ishte në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet ndërkombëtare për lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave. Kjo është arsyeja sepse deklaratat e mia ishin shumë të forta dhe të ashpra, siç ndodh gjithmonë në situata të ngjashme, pavarësisht nga qeveria. Vlerësimet tona bazohen në tekstin e legjislacionit, ose në projektligje dhe zbatimin e ligjeve, të cilat ne i rishikojmë.
Ne gjithmonë u ofrojmë asistencë qeverive për të përmirësuar projektligjet, nëse konsiderojmë se ato paraqesin probleme për lirinë e mediave. Kjo është ajo që Zyra ime ka bërë që nga fillimi dhe deri në minutën e fundit përpara votimit. Ne kemi punuar për të përmirësuar projektligjet dhe për t’i sjellë ato në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së. Drafti i fundit përmbante shumë përmirësime në krahasim me versionet e mëparshme.
Me kërkesën tonë, qe prezantuar një mbrojtje e fortë e cila thoshte se: “Asnjë dispozitë në këtë ligj nuk do të interpretohet në atë mënyrë që të garantojë të drejtën për të censuruar ose kufizuar lirinë e shprehjes, ose të drejtën e fjalës. Ky ligj interpretohet në përputhje me parimet e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, siç zbatohet në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”.
Si rezultat, detyrimi i regjistrimit (të mediave) është eleminuar dhe mundësia që AMA të heqë përmbajtjen është kufizuar në tre vepra të rënda penale: pornografi për fëmijë; promovimi i akteve terroriste; shkelje të sigurisë kombëtare. Pastaj, referencat për “idetë politike” dhe “anëtarësimet në organizata” janë eleminuar në nenin që ka të bëjë me racizmin dhe diskriminimin, pasi këto referenca mund të përdoreshin kundër grupeve politike apo ideve të caktuara.
Po kështu, rregullimi i së drejtës së përgjigjes është kufizuar, për të shmangur keqpërdorimet; dhe, për më tepër, është garantuar mundësia për të apeluar të gjitha vendimet e AMA-s dhe mbikëqyrjen gjyqësore; dhe është hequr kompetenca e re e AKEP-it për rregullimin e përmbajtjes.
Sidoqoftë, siç theksova edhe më parë, do të duhet të vazhdojmë të punojmë për uljen e nivelit të gjobave. Si akt nënligjor duhet të diskutohet me qeverinë, për të siguruar respektimin e parimit të proporcionalitetit siç përcaktohet në të drejtën ndërkombëtare.
Tani që ligji u miratua në Parlament, ne do të vlerësojmë versionin e miratuar. Prandaj ne nuk e konsiderojmë të përfunduar punën tonë. Ne jemi të vëmendshëm ndaj vërejtjeve dhe shqetësimeve të shoqërisë civile dhe aktorëve të medias. Mobilizimi i tyre tregon lidhjen e tyre me lirinë e mediave në Shqipëri. Në përgjithësi, ne do të monitorojmë nga afër zbatimin e këtyre ligjeve nga autoritetet shqiptare. Kjo është edhe arsyeja pse kam theksuar se është e rëndësishme të sigurohet që AMA të mund të kryejë kompetencat dhe detyrat e saj në një mënyrë plotësisht të pavarur, pa asnjë lloj ndërhyrje politike.
Gjatë kësaj seance plenare, Rama i quajti gazetarët “analfabetë” dhe “dhunues të të drejtave të njeriut”, ai veçoi edhe disa nga gazetarët më të zëshëm që kanë kundërshtuar projektligjin. Cili është qëndrimi i Zyrës suaj për këtë çështje?
Qëndrimi ynë është, si gjithmonë, që figurat publike duhet të respektojnë profesionistët e mediave, punën e tyre dhe të drejtën e tyre për të luftuar për të drejtat e tyre. Figurat publike duhet të durojnë një prag më të lartë të kritikës për shkak të rolit të tyre publik në shoqëri.
Dje, zyra juaj mbështeti një platformë të vetë-rregullimit të mediave në Maqedoninë e Veriut, ndërsa në Shqipëri u shfaq sikur mbështeti rregullimin shtetëror – kjo ka çuar në konfuzion tek shqiptarët që nuk mund ta kuptojnë qasjen në dukje kontradiktore. Ju lutemi mund ta sqaroni?
Nuk mendoj se duhet t’i kundërshtojmë ato në parim. Edhe në vendet ku ka shumë mekanizma të vetë-rregullimit, ekzistojnë gjithashtu ligje, rregulla dhe gjyqtarë, të cilët ndërhyjnë në fusha të caktuara të veprimtarisë mediatike, ose në fushën e lirisë së shprehjes. Kjo madje mund të jetë e nevojshme për të mbrojtur lirinë e shprehjes dhe fjalën e lirë, dhe kjo është e nevojshme edhe sot për të garantuar hyrjen në një internet të hapur, me qasje falas dhe të sigurt kudo.
Vetë-rregullimi është më i dëshirueshëm dhe mund të kufizojë ndërhyrjen shtetërore në shumë raste. Mund të jetë gjithashtu mbështetës i respektimit të standardeve etike të gazetarisë dhe të forcojë cilësinë e informacionit. Sidoqoftë, vetë-rregullimi nuk përjashton ekzistencën e legjislacionit.
Shtetet gjithashtu kanë shqetësime dhe përgjegjësi në fusha të tilla si lufta kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, sigurisë dhe luftës kundër racizmit, antisemitizmit, formave të caktuara të gjuhës së urrejtjes, veçanërisht në internet. Roli ynë është që të inkurajojmë nismat e vetë-rregullimit, si ajo e fundit në Maqedoninë e Veriut, dhe të sigurojmë që legjislacioni aktual ose i ardhshëm nuk do të kufizojë lirinë e mediave, gazetarinë hulumtuese dhe shprehjen e pikëpamjeve kritike, dhe nuk do të shkojë përtej sigurisë legjitime ose të cenojë lirinë e shprehjes.
OSBE, KiE, BE dhe organizata të tjera të pavarura të mediave mbështesin vetë-rregullimin. KiE bëri të qartë se fakti që një organ shtetëror rregullon mediat do të thotë se ligji nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare – Cili është mendimi juaj për këtë?
Siç thashë, Zyra ime mbështet vetë-rregullimin si një mekanizëm të rëndësishëm për promovimin e gazetarisë cilësore dhe forcimin e besueshmërisë, dhe ne kemi mbështetur nisma të tilla në shumë shtete pjesëmarrëse në OSBE. Për më tepër, ritheksoj deklaratën time që AMA, si një agjenci rregullatore, nuk mund të zëvendësojë gjyqësorin e pavarur.
Prandaj, ne kemi siguruar vendosjen në ligj, të dispozitave që garantojnë mbikëqyrjen gjyqësore. Kompetencat e rregullatorëve duhet të jenë të kufizuara me ligj dhe bazohet në parime dhe angazhime ndërkombëtare.
Shumë nga institucionet e mësipërme gjithashtu advokojnë për heqjen e shpifjes si vepër penale nga sistemet juridike të vendeve. Në Shqipëri, shpifja është si vepër penale ashtu edhe civile por, në vend që ta dekriminalizojnë atë, ata e kanë futur në ligje të reja, duke i vendosur edhe më larg nga ato që rekomandohen. Cili është mendimi juaj për këtë?
Shpifja nuk duhet të jetë vepër penale dhe Zyra ime vazhdon të nxisë të gjitha shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së që të dekriminalizojnë shpifjen. Nuk duhet të abuzohet asnjëherë me shpifjen, për të ndëshkuar ose parandaluar gazetarët që të kryejnë aktivitetet e tyre. Unë e kam sqaruar që në fillim se as AMA, as ndonjë organ tjetër administrativ apo rregullator, nuk duhet të merren me çështjet e shpifjes. Kjo duhet të mbetet nën kompetencën e gjyqësorit.
Shumë qytetarë iu drejtuan OSBE-së për t’i mbështetur ndërkohë që ky projektligj ishte duke u debatuar. Në minutë të fundit u zhgënjyen. Çfarë mund të thoni për t’i siguruar qytetarët që OSBE kujdeset për lirinë e mediave në Shqipëri?
Ne u angazhuam për këtë çështje që nga fillimi, dhe uroj të shfrytëzoj këtë mundësi për të kujtuar se ishim ndër të parët që reaguam publikisht për njoftimin e një sistemi të ri të regjistrimit, me një deklaratë publike në tetor 2018.
I siguroj qytetarët shqiptarë se Zyra ime do të monitorojë nga afër zbatimin e këtyre ligjeve dhe do të vazhdojë të ndjekë lirinë e mediave në vend
Harlem Desir filloi karrierën e tij politike në vitin 1999 kur u bë Anëtar i Parlamentit Evropian si pjesë e Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve. Ai u bë udhëheqësi i Partisë Socialiste Franceze në 2012-2014 para se të bëhej Sekretar i Shtetit për Çështjet Evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në vitin 2017 u emërua Përfaqësues për Lirinë e Medias për OSBE-në dhe do të shërbejë në këtë post për një mandat tre vjeçar.