Intimitet pas seksit? Kështu thotë Juli e Kiço Londos

Nga Anxhela Cikopano
Intimitet pas seksit? Kështu thotë Juli e Kiço Londos

Konteshëza Juli vjen si Miss apo Zonjusha Juli këto ditë në Teatrin Eksperimental me regji të Kiço Londos. “Konteshëza Juli” është një pjesë që August Strindberg e shkroi në vitin 1888, sipas parimeve të natyralizmit të shtruara nga Emil Zola: dramaturgji me temë realiste, me studim të thellë të natyrës njerëzore dhe me fabul sa më të thjeshtë. Kjo pjesë përkon më së miri me këtë shkollë, falë aktit të  saj të vetëm, zhvilluar i gjithi në një kuzhinë, me dy personazhe qendrore të skalitura gjer në thellësi dhe një personazh të tretë të skicuar shpejt, karakteristikë kjo e autorit për personazhet dytësore.

Konteshëza Juli është vajza 25-vjeçare e një konti dhe këtë mbrëmje po festojnë ditën e solsticit të verës, ndërsa babai nuk ndodhet në shtëpi. Me të gjenden gjellëbërësja Kristinë dhe kryeshërbyesi Zhan, mes të cilëve ka një lidhje dashurie. Lidhja e tyre do të kërcënohet, kur konteshëza Juli ia vë syrin Zhanit.

Çfarë duhet të dimë para se të shohim shfaqjen: që autori, paçka se prej parathënies së dramës duket si misogjen, nuk është vërtet anti-feminist. Vepra e tij tregon shpesh aleanca e mirëkuptim mes femrave, por marrëdhënie vërtet të ndërlikuara mes dy gjinive dhe veçanërisht mes instiktive të tyre e veprimeve të arsyeshme. Strindbergu jetonte në një shoqëri, ku haste përpjekje shpesh herë të panatyrshme dhe të egra drejt emancipimit të femrës. Nga këto përpjekje, kjo lloj shoqërie që ende nuk e kishte arritur natyrshëm evoluimin, do të prodhonte më shumë viktima se sa emancipim.

Kështu, konteshëza Juli është produkti i një nëne pseudo-feministe dhe i një babai të thyer mes ideales e realitetit, e cila, edhe kur provon të jetojë sipas mësimeve të një emancipimi të sforcuar, përfundon të gjykohet e të urdhërohet prej një shoqërie që nuk është e gatshme ta mirëpresë këtë lloj sjelljeje. Ashtu si thelbi i natyralizmit, Juli është heroina mjerane që bie para pathyeshmërisë së shoqërisë.

Në vënien skenike të Londos, Juli kishte frikën e një shtatzënie e prandaj, mes të tjerave, kërkonte të arratisej me Zhanin, por kjo do të ishte e pamundur pasi autori e thotë hapur që gruaja po kalon ciklin e saj menstrual e për pasojë dëshira e saj për të shkuar me Zhanin, ishte e vetëdijshme e jo një nevojë natyrore (për të cituar Julinë) “e mitrës që kërkonte farën”.

Zgjidhja regjisoriale e një Zhani fillimisht të ftohtë e ceremonial ndaj Julisë, duke përdorur Kristinën si mburojë ndaj joshjes së zonjës, e dëmtonte ekuilibrin e hollë që Strindbergu e shprish dhe e ndreq nga fragmenti në fragment. Kjo i jep peshë më të madhe Julisë dhe rrezikon baraspeshën e marrëdhënies mes të dyve. Si pasojë, aktorit i duhet të stërmundohet për të mos rënë në stereotipin e “hileqarit”, që është përpjekur gjithë jetën të ngjitë pemën e karrierës përmes kësaj “kurve”. Ajo rastësisht kthehet në degën e një njeriu me synime dhe rrethanat do të përcaktojnë, nëse do ta përdorë apo jo.

E pazakontë për pjesën ishte kurba e krijimit të intimitetit mes Julisë dhe Zhanit:  intimiteti nuk thellohej për t’u shtyrë drejt aktit seksual, por përfundimi i aktit seksual, që zhvillohej para syve të publikut, ishte zanafilla e intimitetit mes tyre. Dhe nuk mund të themi se kjo është e pavërtetë në ditët e sotme.

Nëse natyralizmi ka treguar gjithmonë interes për të nxjerrë në pah fjalën e ndrydhur të njerëzve, “Konteshëza Juli” ia del më së miri ta sjellë atë dhe të tregojë se pavarësisht rangut, marrëdhëniet njerëzore shpesh ndrydhin secilin prej nesh.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>