Mediet serbe para disa ditësh raportuan se kompania serbe Delta Holding do të blej një hotel të rëndësishëm në Shqipëri. Ky lajm duket i çuditshëm nisur nga fakti se Serbia është një vend me infrastrukturë më të mirë, por jo më i pasur se Shqipëria.
Nëse një investitor investon në vlerë të madhe jashtë Serbisë, e bën në një vend të qëndrueshëm, që të lejon të shtosh pasurinë dhe të kesh përfitim të lartë. Por këto gjëra janë të pasigurta në Shqipëri.
Rrjetet e mëdha botërore të hoteleve janë të pranishme edhe në kryeqytetet e vendeve më të shkatërruara të botës, qoftë edhe përmes kontratave me partnerë vendas. Por, në Tiranë deri më tani i pranishëm është vetëm rrjeti i hoteleve Sheraton, i cili ka gjasa se nuk do ta ripërtërijë kontratën me investitorin.
Rrjetet kryesore të hoteleve botërore nuk e shikojnë Shqipërinë si një vend me interes, por si treg të vogël ose të rrezikshëm.
Pra, përse, me të gjitha problemet kulturore dhe politike që historikisht e ndajnë Serbinë me Shqipërinë, ajo e cila nuk përbën një interes për botën duhet të përbëj interes për një investitorë serioz serb?
Me të njëjtën vlerë një investitor mund të investojë në objekte më të mira dhe më të sigurta gati në të gjitha kryeqytete e Evropës, ose në objekte të njëjta me çmim me të ulët në vende si Greqia apo Spanja. Por, ai vendos t’i investojë në Shqipëri, në një treg të tejngopur me hotele dhe i dobët në para, me perspektiva fitimi apo rivlerësim të vlerës së pasurisë së patundshme shumë të ulët.
Dy janë përgjigjet e mundshme: Konsiderata politike ose pastrimi i parave.
Nëse zgjedhja e kompanisë serbe për të investuar në Shqipëri është e përcaktuar nga urdhra të aksit Beograd – Moskë, për Shqipërinë do të ishte një problem i madh, dhe sigurisht për qeverinë Rama nuk do të ishte një fitore.
Por, më e besueshme duket, se ky operacioni financiar justifikohet vetëm falë ekzistencës së një politike të dobët të të dyja vendeve kundër pastrimit të parave.