Investimet strategjike në Butrint ngrenë pyetje për pavarësinë e AADF-së

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Investimet strategjike në Butrint ngrenë pyetje për pavarësinë e AADF-së

Në fillim të këtij muaji, Zëri i Amerikës raportoi për të ashtuquajturat “investime strategjike” në zonën e parkut arkeologjik të Butrintit, pasi ky park u zvogëlua me 800 hektarë në janar 2022. Sipas një vendimi të Komitetit të Investimeve Strategjike të kryesuar nga kryeministri Edi Rama, “Manastiri Resort” do të ndërtohet nga kompania AlbStar dhe do të përbëhet nga 33 ndërtesa të shtrira në 5 hektarë përgjatë bregdetit të Ksamilit, në një investim prej 28 milionë eurosh. Ky pritet të jetë vetëm njëri nga disa projektet në këtë zonë.

Historia sesi njëri prej parqeve më të rëndësishme kombëtare u zvogëlua në mënyrë drastike në përmasa, duke i dhënë më pas leje një kompanie me lidhje të ngushta me qeverinë që të zhvillonte një projekt shumë fitimprurës në njërin nga brigjet më të lakmuara të Shqipërisë, sidoqoftë, nis me një raport të vitit 2020 të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).

Në prill 2020, AADF dhe Ministria e Kulturës botuan një raport për Parkun Kombëtar të Butrintit të porositur nga kompania konsulente “Prince & Pearce”. Ndër vite AADF është përfshirë fuqimisht në investime për ruajtjen e sitit historik të Butrintit dhe ky raport supozohej të ishte baza për qëndrueshmërinë afatgjate të parkut.
Siç u raportua asokohe nga Zëri i Amerikës, shteti do t’ia kalonte menaxhimin një fondacioni përmes një skeme partneriteti publik-privat. Partneritete të tilla kanë treguar se ngjallin debat, pasi menaxhimin e pronave shtetërore e heqin nga kontrolli publik dhe, për rrjedhojë, edhe nga kontrolli demokratik.

Raporti propozonte reduktimin e “Zonës B” të dikurshme, zonës rekreative (fig. 1), për shkak të ndërtimeve ekzistuese, në veçanti në fshatin Ksamil:

Derisa të shqyrtohet përfundimisht zgjerimi i pakontrolluar dhe i pamonitoruar i Ksamilit, ai do të vazhdojë të shtrihet gradualisht brenda zonës së Parkut […]. Ndaj rekomandohet që e gjithë zona e tanishme e Ksamilit të hiqet nga Parku Kombëtar dhe rreth tij të vendoset një “Rrip i Gjelbër” për të parandaluar zgjerimin e mëtejshëm. […] Megjithëse do të hiqet një pjesë e vogël e bregdetit dhe e tokës ndanë (ndoshta 100–150 ha), kjo do të siguronte dhe konsolidonte parimin që [Ksamili] të mos zgjerohej më tej në 9000 ha të mbetura të Parkut Kombëtar. (fq. 38)

Kufijtë e rinj të parkut kombëtar të propozuar nga ekspertët ndërkombëtarë janë treguar në fig. 2. Raporti rekomandon më tej që kufijtë e rinj të parkut kombëtar të harmonizohen me kufijtë e Zonës së Trashëgimisë Kulturore Ndërkombëtare (vija portokalli në fig. 1) dhe madje të zgjerohen aq sa të përfshijnë edhe liqenin e Butrintit.

butrint map
Fig. 1. Harta fillestare e Parkut Kombëtar të Butrintit, Zona B është zona rekreative. Burimi: “Plani i Menaxhimit të Integruar të Parkut Kombëtar të Butrintit (2020-2030),” fq. 37.
butrint map
Fig. 2. Harta e propozuar e Parkut Kombëtar të Butrintit, Zona ZR është zona rekreative e zvogëluar. Fshati Ksamil është hequr krejtësisht nga parku kombëtar. Burimi: “Plani i Menaxhimit të Integruar të Parkut Kombëtar të Butrintit (2020-2030),” fq. 39.

Pra raporti i porositur nga AADF dhe Ministria e Kulturës propozoi një reduktim të sipërfaqes së parkut prej 100–150 ha, si pjesë e planit afatgjatë për qëndrueshmërinë dhe menaxhimin e parkut kombëtar, ku AADF ka investuar tashmë miliona ndër vite.

Ajo që bie në sy është se me një Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM), të kryesuar nga kryeministri Rama, më datë 26 janar 2022 Parku Kombëtar i Butrintit u zvogëlua nga 9424.4 ha në 8622.2 ha. Kjo është një diferencë prej 800 ha, rreth 8 herë më shumë se sa propozohej në raportin e vitit 2020, si dhe një zvogëlim i ndjeshëm i përmasave të parkut kombëtar pa asnjë justifikim të dukshëm përveç investimit strategjik të kompanisë AlbStar.

Në një përgjigje për Exit-in, punonjësi zyrtar për shtypin në AADF konfirmoi se plani origjinal për zvogëlimin e parkut me 100–150 ha dhe për mbrojtjen e tij ishte “përgatitur nga ekspertë ndërkombëtarë në diskutime të ngushta me agjencitë vendore dhe qeveritare dhe aktorë të tjerë”.

Duke qenë se Parku Kombëtar i Butrintit integron vlera kulturore dhe natyrore, Plani i Menaxhimit të Integruar iu bashkëpropozua për miratim Këshillit të Ministrave nga Ministria e Kulturës dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në përputhje me fushën e tyre përkatëse të kompetencës.

Megjithatë, zonimi i ri që i priste parkut kombëtar 800 ha nuk ishte pjesë e këtij plani: “Zonimi i ri i parkut nuk është pjesë e Marrëveshjes së Menaxhimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit të miratuar nga Kuvendi”.

Pavarësisht këtij ndryshimi të rëndësishëm në Planin e Menaxhimit që i shpërfillte këshillat e ekspertëve ndërkombëtarë, AADF këmbëngul se ky zvogëlim “nuk ndikon te donacionet dhe kontributet e AADF në Parkun Kombëtar të Butrintit”.

Dhe kjo është ajo që ngre pyetjen kryesore: Pse vallë pavarësisht ndryshimeve të njëanshme të qeverisë në një projekt që e hartoi dhe e financoi AADF në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, ky fondacion vazhdon ta financojë këtë plan të qeverisë në masën 5 milionë euro?

AADF është një fondacion me zyra në SHBA dhe në Shqipëri. Ai ka misionin dhe statutin e tij të veçantë dhe është krijuar me fondet e taksapaguesve amerikanë. Në thelb ai është fond i pavarur investimesh dhe jo lopë për ta mjelë qeveria shqiptare. A do të pranonte ndonjë fond tjetër investimesh një ndryshim kaq të madh në natyrën e investimit të tij pa kërkuar studime të mëtejshme ose vlerësime të jashtme?

Tani për tani këto pyetje mbeten pa përgjigje, por gatishmëria e AADF për të vazhduar të derdhë të holla në projektet kryesore të qeverisë Rama (Pazari i Ri, Piramida, Parku Kombëtar i Butrintit, etj.), ndërkohë që me sa duket nuk është se i dëgjohet fjala as sa i përket zbatimit të këtyre projekteve, ngre pyetje serioze për pavarësinë e fondacionit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>