
Irani përjashtoi të dielën mundësinë e mbajtjes së një takimi jozyrtar me Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë Evropiane për të diskutuar mënyrat për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.
“Duke marrë parasysh veprimet dhe deklaratat e fundit nga Shtetet e Bashkuara dhe tre fuqitë Evropiane, Irani nuk e konsideron këtë kohën për të mbajtur një takim jozyrtar me këto vende, i cili u propozua nga shefi i politikës së jashtme të BE”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Saeed Khatibzadeh, raporton Reuters.
Zyrtarët iranianë kishin thënë se Teherani po studionte një propozim nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell për të mbajtur një takim jozyrtar me palët e tjera të paktit bërthamor dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat vendosën sërish sanksionet mbi Iranin pasi presidenti i atëhershëm Donald Trump doli nga marrëveshja në 2018 .
Irani dhe administrata e re amerikane e Presidentit Joe Biden kanë qenë në mosmarrëveshje se kush duhet të ndërmarrë hapin e parë për të ringjallur marrëveshjen. Irani këmbëngul se Shtetet e Bashkuara duhet së pari të heqin sanksionet ndërsa Uashingtoni thotë se Teherani duhet së pari t’i kthehet pajtueshmërisë me marrëveshjen, të cilën ai po e shkel gradualisht.