Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian Isabel Santos ka thënë të hënën se Shqipëria i ka përmbushur kushtet për konferencën e parë ndërqeveritare.
“Si raportuese për Shqipërinë shpresoj që do të kemi lajme të mira gjatë presidencës portugeze dhe të përparojmë me konferencën e parë ndërqeveritare sepse Shqipëria i ka përmbushur kushtet e nevojshme për këtë hap dhe do të shërbejë si motivim për vazhdimësinë e reformave”, tha Santos të hënën në një intervistë për “Euro Speak”.
“Mbështetja e madhe që populli ka treguar për procesin e anëtarësimit është një nga pikat më të forta të Shqipërisë”, tha ajo.
Sa i takon reformave të ndërmarra nga Shqipëria ajo thotë se në të gjitha këto reforma “vihet re vullneti i shoqërisë” për t’i plotësuar.
“Bashkëpunimi i Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe vice-versa siç u konstatua edhe gjatë pandemisë është një tregues pozitiv që BE-ja jo vetëm që e konsideron Shqipërinë si pjesë të familjes së saj të zgjeruar por edhe vete vendi do të marrë pjesë në zgjidhjen e problemeve tona të përbashkëta”, tha Santos dhe shtoi se ka akoma vend për përmirësim.
Dobësi në fushën politike ajo vecoi polarizimin dhe shtoi se “edhe pse një numër i madh reformash janë zbatuar ka akoma gjëra që duhen përfunduar”.
Ajo tha se vështirësitë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE momentalisht rriten për shkak të problemit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut “por siç e përmenda dhe pak më lart, Ministri i Punëve të Jashtme të Portugalisë po përpiqet ta zgjidhë këtë situatë”, tha ajo.