Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj u përball dje me Komisionin e Pavarur të Kualikifimit. Trupa për rivlerësimin e tij përbëhet nga Suela Zhegu, Brunilda Bekteshi dhe Roland Ilia.
Në lidhje me pasurinë ILKPI deklaroi se prokurori Hajadarmataj kishte kryer deklarim të saktë, nuk kishte fshehje pasurie dhe justifikonte pasurinë e tij. Gjitashtu edhe KPK nuk gjeti probleme me pasurinë. Zotit Hajdarmataj kishte deklaruar tre llogari bankare.
KPK hetoi dy llogari me vlerën 5 milionë dhe 1 milionë lekë që ishin kursime, dhe konstatoi se burimi i këtyre kursimeve ishte i ligjshëm. Nga ana tjetër KPK hetoi mbi një shumë 500 mijë lekë dhe dy dhuratat nga i vëllai në vlerat 6 mijë euro dhe 4 mijë paund. Komisioni deklaroi se burimi i tyre ishte i ligjshëm dhe se i vëllai kishte mundësi financiare për dhuratat.
DSIK hartoi gjithashtu një raport pozitiv për Hajdarmataj duke e konsideruar të përshtatshëm për të vazhduar detyrën.
Në lidhje me profesionalitetin Prokuroria e Përgjithshme e vlerësoi me shumë mirë prokurorin Hajdarmataj.
Gjatë hetimit KPK mori rreth 14 denoncime për prokurorin Hajdarmataj, ndër të cilat 3 ishin publikuar në media.Por sipas KPK këto denoncime ishin të pabaza.
Ndërkohë KPK hetoi edhe tre denoncime të tjera të cilat kishin ardhur në prill dhe rihapën hetimin për Hajdamataj. Denoncimi i parë e akuzonte prokurorin se kishte lidhje me persona, pjesë të organizatave kriminale. Por KPK e rrëzoi atë si të pabazuar.
Denoncimi i dytë i referohej transferimit të një hetimi ndaj një gjyqtareje të Tiranës nga Durrësi në Elbasan. Hajdarmataj u mbrojt duke deklaruar se hetimi kishte afërsi më shumë me qytetin e Elbasanit se sa të Durrësit.
Denoncimi i tretë i referohej mbajtjes pezull të një dosjes së 100 kilogramë drogë të kapura në Durrës. Prokurori deklaroi se kjo dosje kishte qëndruar 3 vite pa u hetuar duke sqaruar se vetë ai në cilësinë e drejtuesit kishte ndryshuar prokurorët për këtë fakt. Por vëzhguesi ndërkombëtar e pyeti përse nuk kishte marrë masa disiplinore ndaj prokurorit të çështjes. Hajdarmataj u shpreh se nuk mund të ndërhynte në dosjen e prokurorit.
Vendimi për të do të jepet me datën 16 tetor.