Ish-futbollistët e kombëtares gati për ndeshjen e bamirësisë për të prekurit nga tërmeti

Nga Exit News
Ish-futbollistët e kombëtares gati për ndeshjen e bamirësisë për të prekurit nga tërmeti

Të premten Stadiumi Kombëtar hap dyert për ish-futbollistët e përfaqësueses, të cilët do të zhvillojnë ndeshje bamirësie për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.

Futbollistët e fillimviteve 2000 janë ribashkuar për t’u ndeshur përballë përfaqësueseve me lojtarë të suksesshëm të Italisë, Greqisë dhe Turqisë. Shumë prej tyre kanë udhëtuar drejt Tiranës dhe ditën e sotme Top-Channel raportoi se një gjë të tillë e ka bërë edhe Besnik Hasi. Ky i fundit ka udhëtuar nga Arabia Saudite ku është trajner i Al-Raed dhe e ka cilësuar të detyrueshëm kontributin për Shqipërinë.

Ish-mesfushori i kombëtares ka luajtur mbi 40 ndeshje me fanellën e Shqipërisë dhe pasi mbylli karrierën si futbollist ka mundur të jetë shumë i suksesshëm si trajner duke drejtuar skuadra si Anderlecht, Legia Varshavës apo dhe Olympiacos.

Për Shqipërinë në fushë do të jenë: Foto Strakosha, Lorik Cana, Edvin Murati, Alban Bushi, Igli Tare, Altin Lala, Besnik Hasi, Altin Rraklli, Erjon Bogdani, Arjan Beqaj, Artim Shaqiri, Klodian Duro, Ervin Bulku, Armend Dallku, Nevil Dede, Debatik Curri, Hamdi Salihi, Redi Jupi, Nderim Nexhipi dhe Adrian Aliaj.

Luajmë dhe rindërtojmë së bashku” është një ndeshje bamirësie e organizuar nga Sindikata e Futbollistëve dhe Federata Shqiptare e Futbollit. Aktiviteti nis në orën 18:00 datë 10 janar në Stadiumin Kombëtar Air Albania.

Në fushë pritet të jenë kampionë bote dhe Evrope si Zambrotta e Karagunis por dhe shumë emra të tjerë të njohur të futbollit.

Përfaqësueset do të diskutojnë ndeshje 35-minutëshe mes tyre deri sa të ketë një fitues mes tyre. Të ardhurat e grumbulluara nga shitja e biletave do të shkojnë për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Biletat, në varësi të tribunave, do të kushtojnë 500; 1,000; 5,000 deri në 10,000 lekë. Ato mund të blihen në dyqanin e FSHF-së në rrugën e Elbasanit, biletarinë te Stadiumi Selman Stërmasi ose në qendrën tregtare ETC.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>