Ish-gjyqtari akuzon EULEX si mision politik për të goditur politikanët kosovarë

Nga Exit News
Ish-gjyqtari akuzon EULEX si mision politik për të goditur politikanët kosovarë

Malcolm Simmons, ish-kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, ka akuzuar këtë mision se ka kërkuar dënimin e disa prej figurave kryesore politike të Kosovës, pavarësisht nëse ndaj tyre nuk kishte prova.

Simmons raportoi të hënën ‘online’ para Komisionit të parlamentit të Kosovës për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Simmons deklaroi se EULEX nuk kishte synim sundimin e ligjit por ishte mision politik për të goditur figura kryesore të politikës në Kosovë me qëllim çuarjen para të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Simmons tha se qëllimi kryesor i punës së EULEX ndër vite në Kosovë ka qenë dënimet dhe jo procesi i drejtë gjyqsor ndërsa shtoi se misioni bëri shumë pak për hetimin e krimeve të luftës.

Ish-gjyqtari tha se rasti “Kleçka” – procesi gjyqsor kundër Fatmir Limajt për krime lufte – nuk duhet të kishte shkuar kurrë për gjykim pasi ndaj tij nuk kishte prova.

Megjithatë kjo ndodhi pasi siç deklaroi Simmons, atij iu kërkua nga shefi i operacioneve civile Kenneth Dean të largojë nga politika “peshqit e mëdhenj”.

Simmons akuzoi misionin e EULEX-it se i ka dorëzuar autoriteteve të Serbisë dosje të krimeve të luftës që i kishte trashëguar nga misioni i Kombeve të Bashkuara.

Raportimin e sotëm në Kuvendin e Kosovës, Simmons e kishte paralajmëruar për Exit më herët ku ka shpjeguar pozicionin e tij në lidhje me të gjitha akuzat ndaj misionit të EULEX-it.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>