Ish gjyqtari i Apelit të Tiranës, Alaudin Malaj i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të prishte vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Gjatë seancës në KPA ai akuzoi trupën gjykuese në KPK si të njëanshme dhe të lidhur me ish ministrin e brendshëm Fatmir Xhafaj.
Malaj tha se bërë padi administrative dhe kallëzim penal ndaj anëtarëve të trupës gjykuese, ndërsa këmbënguli se Xhafaj kishte dorë në emërimin e anëtarëve të trupave të vetingut.
Malaj deklaroi se Suela Zhegu kishte qenë në konflikt të hapur interesi, pasi ai kishte gjykuar një çështje ndaj bashkëshortit të saj.
Po ashtu ai pretendoi se Etleda Çiftja – po përmes bashkëshortit, në një mënyrë ishte e lidhur me ish-Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, pasi ishte shoqëruesi. Ndërsa për anëtarin e fundit të trupit gjykues Lulzim Hamitaj, Malaj deklaroi se do të publikojë akuzën ndaj tij në ditën e zgjedhjeve të përgjithshme në vend.
Ish gjyqtari Malaj pretendoi që DSIK ishte ndikuar në mënyrë të paligjshme nga Xhafaj dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shetit, Ardi Veliu. Ai hodhi poshtë akuzat për lidhjet e tij me bandat e Vlorës, me argumentin në atë kohë kishte qenë gjyqtar në Tiranë. Po ashtu kundërshtoi edhe pretendimet mbi vizën për në SHBA.
Malaj kërkoi nga KPK shfuqizimin e ndalimit për të qënë pjesë e sistemit të drejtësisë për 15 vite .
Seanca e rradhës për të do të jetë më 27 janar.
Në 27 korrik 2020 Alaudin Malaj dha dorëheqjen gjatë procesit të kryerjes së rivlerësimit të figurës nga KPK që nga viti 2018.
Në 16 shtator, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ndërpreu procesin e vetingut për Malajn pas dorëheqjes.
Alaudin Malaj është gjyqtari që bëri publik vendimin e dënimit të Geron Xhafajt, vëllait të ish-Ministrit të Brendshëm.
Gjithashtu, Malaj ishte një nga 5 anëtarët e trupit gjykues që dhanë pafajësi për të gjithë anëtarët e organizatës “Hakmarrja për drejtësi”. Madje në 2017, Këshilli i Lartë i Drejtësisë nisi hetimin ndaj 5 gjyqtarëve të Apelit të Krimeve të Rënda, me kërkesë të ish-presidentit Bujar Nishani.